ELBASAN- Impianti i Trajtimit të Mbetjeve Urbane në Elbasan është në funksion të plotë! Bashkia e Elbasanit ka bërë publike lajmin, teksa iu ka kthyer përgjigje të gjitha akuzave të ardhura nga opozita, duke thënë se ky incenerator ka qenë mbyllur për shkak të një remonti që po i bëhej, e ndërsa tashmë me vënien në punë çdo ditë trajtohen rreth 120 tonë mbetje urbane të 7 bashkive të qarkut.

Pas remontit, kryetari i Bashkisë, Gledjan Llatja ka sqaruar se në këtë impiant ka nisur puna e cila konsiston në selektimin dhe më pas djegien e mbetjeve, proces nga i cili prodhohet energji.

 “Impianti i trajtimit të mbetjeve urbane në Elbasan rikthehet në punë me kapacitet të plotë. Kompania shtetërore "ECO-ELB" Sh.a. me aksionerë shtatë bashkitë e qarkut përmbylli me sukses ndërhyrjen e remontit dhe tashmë po kryhet normalisht procesi i selektimit dhe djegies së mbetjeve për të gjitha bashkitë.

Teksa ne punonim për të përmbyllur remontin e impiantit, na u desh të dëgjonim lloj-lloj akuzash. Hodhën vrer e helm në publik. Thelbi i akuzuesve ishte pretendimi i tyre se incenerator në Elbasan nuk ka. Vetëm pak ditë më parë, një mëkëmbës i ricikluar i "foltores", tashmë kandidat nën vulën e partisë së Ilir Metës, hodhi baltën e radhës ndaj Bashkisë së Elbasanit duke bërë kasandrën e duke njoftuar se Elbasani do të mbytej nga plehrat se nuk ka incenerator. Në fakt, ja ku është impianti. Mund ta shikoni në të gjitha proceset e tij. Qytetarët dinë ta dallojnë gënjeshtrën nga realiteti. Kjo është përgjigja më e mirë! Teksa ata kanë vetëm llafet, ne punojmë! Jam krenar që falë punës që po bëjmë, kemi sot një qytet shumë herë më të pastër. Sigurisht, i tillë do të jetë edhe në 4 vitet e ardhshme", Gledian Llatja.

Opozita ka hedhur akuza duke thënë se inceneratori i Elbasanit nuk është vënë në punë, mirëpo mazhoranca e ka bërë me dije se ai ka qenë në remont.