TIRANË, 18 Shkurt /ATSH/ - Vendin e sipërfaqeve të dëmtuara dhe të zhveshura nga shpërthimet e guroreve dhe djegia e gëlqeres në Fushë Krujë do ta zënë pemët dekorative.
Pas mbylljes së guroreve në Fushë Krujë, në vendet e zhveshura nga gërryerjet ka nisur puna për mbjelljen e 45 mijë fidanëve drurë dekorativë, punë e cila do të përfundojë në muajin mars të këtij viti.
Një masë e tillë ka krijuar më tepër ndjesinë e një aksioni të madh ku janë përfshirë thuajse të gjitha strukturat administrative shtetërore dhe vendore si dhe ndërmarrjet ekonomike në varësi të shtetit.
Ishte Këshilli i Qarkut të Durrësit që nëpërmjet ndërmarrjes së rrugëve në varësi të saj nisi nga puna për mbjelljen e 500 rrënjëve pisha.
Kreu i Këshillit të Qarkut, Alfred Mullaraj tha se, "kjo është një nisëm që synon të shërojë plagët e shkaktuara nga shpërthimet e guroreve apo nga ndotjet e fabrikave të çimentos. Gjithashtu synohet përmirësimi i cilësisë së jetës të banorëve të kësaj zone të dëmtuar mjaft përsa i përket mjedisit".
Ndërsa Prefekti i Durrësit Roland Xhelilaj sqaroi se kjo punë e nisur është pjesë e programit të qeverisë për t'i kthyer vendit sipërfaqet e gjelbëruara. Ai tha se të gjitha ndërmarrjet shtetërore si porti detar, hekurudha,ALUIZN-i, shkollat e mesme, repartet e MNZ e të tjera do të mbjellin pjesën e tyre në këtë gurore, por jo vetëm, pasi puna do të vijojë edhe me gjelbërimin e mjediseve ku ata punojnë. Të tilla janë oborret e shkollave, të kopshteve, të qendrave administrative të tjera./m.m/












