TIRANE - Qeveria ka vendosur sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për shpronësimin dhe kompensimin e pronarëve të tokave që preken nga zgjerimi i varrezave publike në Fier.

Sipas vendmit në fjalë do të shpronësohet dhe kompensohen të gjithë pronarët e tokave për hapësirën prej 9532 m² të parashikuar për zgjerimin e varrezave publikë në Fier.

Ndërkaq kompensimi i tyre do të kapë shifrën e 9 532 000 lekë të cilat do të mbulohen nga Bashkia e Fierit. Sipas vendimit shpronësimet dhe kompensimi i pronarëve do të bëhet brenda tre muajsh.

Më poshtë vendimi i Këshillit të Ministrave:

VENDIM PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE, FAZA III, TË BASHKISË SË FIERIT 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zgjerimi i varrezave publike, faza III, të bashkisë së Fierit. 
2.  Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Fierit. 
3.  Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen sipas masës së dhënë në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 9 532 (nëntë mijë e pesëqind e tridhjetë e dy) m²,tokë arë, në vlerën 9 532 000(nëntë milionë e pesëqind e tridhjetë e dy mijë) lekë. 
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 9 532 000(nëntë milionë e pesëqind e tridhjetë e dy mijë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Fierit, planifikuar në buxhetin e saj. 
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Fierit. 
6.  Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas miratimit të projektit. 
7. Regjistrimi i ri i pasurisë, për sipërfaqen 9 532(nëntë mijë e pesëqind e tridhjetë e dy) m²,tokë arë, bëhet në favor të bashkisë së Fierit. 
8. Afati i përfundimit të punimeve të objektit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga bashkia e Fierit. 
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Fierit për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)