Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije sot se ka nisur vaksinimi i djemve të moshës 13 vjeç ndaj virusit 'Human Papiloma'.

Përmes një njoftimi Ministria thekson se vaksinimi ndihmon në parandalimin e disa llojeve të kancereve të lidhura me HPV-në, si dhe ndikon në uljen e qarkullimit të përhapjes së virusit.

“Nis vaksinimi ndaj HPV-së edhe për djemtë e moshës 13 vjeç, pjesë e Kalendarit Kombëtar të Vaksinimit.  Vaksina kundër HPV-së mbron vajzat dhe gratë nga kanceri i qafës së mitrës, tek meshkujt ndihmon në parandalimin e disa llojeve të kancereve të lidhura me HPV-në, si dhe ndikon në uljen e qarkullimit të përhapjes  së virusit në popullatë. Vaksinimi është i sigurt, efektiv dhe një hap i rëndësishëm në uljen e riskut për kancer tek brezi i ri”, thuhet në njoftim.

Papiloma virus ose HPV është përgjegjësi i kancerit në qafën e mitrës, i pari tumor i njohur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si tumor totalisht me prejardhje nga një infeksion.

Ekzistojnë 1200 lloje të ndryshme nga këndvështrimi gjenetik (gjenotipe) të virusit HPV, i aftë të infektojë njeriun, një e treta është i lidhur me sëmundjet (patologjike) të pjesës anogenitale, qoftë beninjë ashtu edhe malinjë.

Infeksioni me virusin papilloma (HPV) transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale. Ndryshe nga sëmundjet e tjera seksualisht të transmetueshme, as përdorimi i prezervativëve nuk mund të garantojë mbrojtje totale nga virusi.