Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, u ka uruar suksese studentëve që nisin vitin e ri akademik, ndërsa ka garantuar angazhim të shtuar të policisë për sigurinë në mjediset universitare.

Në mesazhin drejtuar studentëve, Hita thekson se nisja e vitit akademik shton edhe përgjegjësitë e Policisë së Shtetit për të parandaluar fenomenet që mund të cenojnë sigurinë e të rinjve.

"Në nisjen e vitit të ri akademik, ju uroj suksese në rrugëtimin tuaj të dijes dhe formimit profesional. Për Policinë e Shtetit, nisja e vitit akademik sjell përgjegjësi dhe angazhim të shtuar për të garantuar sigurinë tuaj dhe një mjedis sa më të qetë për të studiuar", shprehet Hita.

Kreu i Policisë së Shtetit garanton studentët se strukturat policore do të jenë pranë tyre, duke vënë theksin edhe te bashkëpunimi me të rinjtë.

"Ju siguroj se do të jemi pranë jush, për të parandaluar çdo fenomen që cenon sigurinë në mjediset universitare. Bashkëpunimi me ju është një vlerë e shtuar për Policinë e Shtetit. Siguria ndërtohet së bashku. Ju uroj shumë suksese në këtë kapitull të ri të jetës suaj!", përfundon Hita.


Lajmi kryesor:

Nis viti i ri akademik/ 120 mijë studentë në të gjithë vendin! 20 mijë prej tyre ulen në auditoret e universitetit për herë të parë