TIRANE – Ndërsa kryeministri Rama e ka sulmuar ashpër deklaratën e patriarkut serb nga Tirana, se Kosova është e shenjtë për Serbinë, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, nuk ka thënë asnjë fjalë për këtë deklaratë. Gjatë takimit me partiarkun Ekumenik Bartolomeu 1 dhe zyrtarë të lartë të kishave ortodokse, mes të cilëve dhe patriarkun serb Tij Irinej, Nishani foli për tolerancë e bashkëjetesë fetare të shqiptarëve.

“Presidenti Nishani vuri në dukje vlerat e pamohueshme të popullit tonë: tolerancën, harmoninë dhe bashkëjetesën e shkëlqyer fetare, duke shtuar se Shqipëria dhe shqiptarët kanë punuar dhe do të kontribuojnë gjithmonë për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe dialogun me fqinjët në rajon, sepse vetëm në saje të këtyre parimeve popujt dhe vendet tona do të ecin përpara në paqe dhe begati”, thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.

Duke u uruar edhe njëherë mirëseardhjen, Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje se pas një gjysmë shekulli diktature, ku praktimi i fesë ishte i ndaluar me ligj, ku klerikët u përndoqën dhe objektet e kultit u shkatërruan, Shqipërisë sot i është shtuar edhe një objekt tjetër madhështor kulti – Katedralja e re Ortodokse në qendër të Tiranës.
 
Duke falenderuar Presidentin Nishani për mikpritjen, Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Bartolomeu I vlerësoi ndryshimet dhe përparimet që ka shënuar vendi ynë duke vënë në dukje se Katedralja e re Ortodokse është një tjetër provë e qartë se Shqipëria gëzon tërësisht lirinë e praktimit të fesë, pas së kaluarës së hidhur që ka përjetuar.

Gjithashtu Patriarku Ekumenik shprehu urimin dhe bekimin e Tij që Shqipëria të marrë sa më shpejt statusin e vendit kandidat, sepse përveç arritjeve të shënuara, kombi shqiptar, duke qenë njëri prej më të vjetërve në kontinent, e meriton plotësisht të jetë në gjirin e Bashkimit Evropian.

nishani bartolomeu patriarku serb irinej

(Në foto, takimi ne Presidence)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)