Nishani:Bashkëpunim rajonal për
më tepër investim financiar nga BE

Nishani:Bashkëpunim rajonal për<br />më tepër investim financiar nga BE
"Bashkëpunimi rajonal dhe simbioza e mirëqeverisjes do të bëhen katalizatorë të një investimi më të madh politik dhe financiar të BE në rajon",-ka qënë ky thelbi i fjalës së presidentit Nishani në Takimin e Kryetarëve të Procesit Brdo-Brijuni në Budva të Malit të Zi.

“Jemi të vetëdijshëm se për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian duhet më së pari dhe mbi të gjitha, të fokusohemi tek zbatimi i reformave të brendshme, dhe se sot gëzojmë mbështetje shumë herë më të madhe për realizimin me sukses të tyre. Ne jemi të ndërgjegjshëm po ashtu se kur punon me vullnet të mirë dhe në grup, rezultatet mund të jenë më të shpejta e më cilësore. Vetëm simbioza e mirëqeverisjes së vendeve tona, e shoqëruar edhe me bashkëpunimin e sinqertë rajonal, mund të ngjizë një tjetër perceptim për rajonin nga ai që ka ekzistuar deri më sot. Ashtu sikurse ajo do të bëhet katalizatore e një investimi më të madh politik dhe financiar të Bashkimit Evropian në rajon” -tha Nishani

Gjatë këtij sesioni të nivelit presidencial, Kryetarët e Procesit diskutuan rreth çështjeve të integrimit evropian dhe rritjes së bashkëpunimit rajonal në frymën e fqinjësisë së mirë si shtylla që garantojnë paqen, sigurinë, qëndrueshmërinë dhe begatinë ekonomike të Ballkanit dhe që shërbejnë edhe si parakushte për integrimin e plotë të tij në gjirin e familjes evropiane.

Në fjalën e tij presidenti Nishani duke falenderuar Presidentin e Austrisë Fisher, “i cili na nderon dhe dëshmon mbështetjen që ai personalisht dhe Austria i kushtojnë kësaj nisme rajonale si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në përpjekje për integrimin në Bashkimin Evropian” shpreh vlerësimin për Presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë, zonjën Kitaroviç dhe zotin Pahor, “për mbajtjen aktive të kësaj nisme shumë të rëndësishme rajonale”.

“Procesi i Brdo-Brijunit vijon të mbetet një nga nismat më të qenësishme për ruajtjen e fokusit në bashkëpunimin rajonal dhe përgatitjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Falë mbështetjes së Bashkimit Evropian, vendeve të tij anëtarë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe organizatave të tjera partnere, në vitet e fundit kemi arritur të ndërtojmë një dialog të qëndrueshëm gjithnjë e më intensiv mes nesh. Një dialog që bazohet në filozofinë e fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit të ndërsjellë. Në harkun e pak ditëve ne kemi pasur rastin të shkëmbejmë pikëpamjet tona në një sërë takimesh: në Samitin e Tiranës, në mbyllje të Kryesisë shqiptare të SEECP-së, në Samitin 100 në Portorozh të Sllovenisë dhe sot kur ndodhemi në Budva. Tashmë jemi përballë një situate tërësisht të ndryshme. Kontaktet dhe shkëmbimet e vizitave mes vendeve tona dhe në të gjitha nivelet janë intensifikuar, çka dëshmon vullnetin dhe dëshirën për të zhvilluar më tej bashkëpunimin dypalësh, por edhe begatinë e përbashkët të rajonit”,-nënvizoi presidenti Nishani.

Prania jonë këtu, vijoi Presidenti Nishani “e përforcon këtë dhe dëshmon se dëshira dhe pritshmëria është që kjo dinamikë të intensifikohet aty ku është shfaqur si dhe të shfaqet aty ku ka munguar deri më tani. Sigurisht që jemi ende larg asaj që rrezatojnë shumë vende apo rajone të tjera të Bashkimit Evropian, por nuk mund të harrojmë se deri vetëm para pak vitesh, rajoni ynë ishte i përfshirë nga konflikte të armatosura. Çështje dhe problematika të hapura ka ende dhe sot, por ato nuk janë më tabu dhe as nuk qëndrojnë pasive në agjendat tona respektive. Është përgjegjësia dhe detyrimi ynë të flasim për to dhe t’i trajtojmë me vizionin për të ardhmen e domosdoshme të përbashkët brenda Bashkimit Evropian, si dhe me kurajën tonë politikbërëse dhe qeverisëse”.

“Jam i bindur se ka qenë ky vizion dhe kjo kurajë që kanë karakterizuar vendosjen dhe vazhdimin e dialogut mes udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë, të cilët me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë arritur marrëveshje konkrete që duhet të vazhdojnë të zbatohen, jo vetëm në dobi të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, por edhe të mbarë rajonit dhe perspektivës së përbashkët evropiane. Është ky vizion dhe kjo kurajë që kanë inkurajuar qeveritë e vendeve tona të punojnë me vendosmëri për zbatimin e reformave të gjithanshme, çfarë ka sjellë shtrirjen e kufirit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s brenda nesh. Shqipëria mbetet e angazhuar për zgjerimin e këtyre kufijve dhe përfshirjen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në to duke shpresuar që kjo ditë të jetë sa më e afërt”,- tha Nishani.
 
Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mund të ketë disa keqkuptime me partnerin...çfarë thonë yjet për ju sot

Mund të ketë disa keqkuptime me partnerin...çfarë thonë yjet për ju sot