TIRANË - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nuk do të marrë pjesë në Samitin e Krerëve të Shteteve të SEECP, që do të zhvillohet në Ohër më datë 1-2 qershor 2013.
 
Siç bën të ditur ATSH, shkak për këtë vendim është bërë fakti se Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk është ftuar të marrë pjesë në këtë eveniment, në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit dhe të dialogut që mbizotëron në rajon dhe që lehtëson arritjen e synimit të përbashkët, atë të integrimit evropian. 

Lënia e Kosovës jashtë Samitit është bërë nën presionin e Serbisë, në kundërshtim të hapur me marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe më konkretisht në shkelje te nenit 14 të Marrëveshjes Thaçi-Daçiç të nënshkruar në Bruksel, më 19 prill, 2013.
Pritet në këtë samit të mos jetë e pranishme as kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli. Zyra e shtypit e Parlamentit nuk jep një përgjigje të saktë, pasi Topalli ndodhet në Shkodër në kuadër të fushatë së ngjeshur elektorale, por RTK shkruan se shkak është mosftesa për homologun Jakup Krasniqi.  

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)