SHKODËR - Presidenti Bujar Nishani ka dekoruar sot kryetarin e komunës Bushat, Zef Hila, komunë që u përmbyt edhe në vitin 2010, edhe në vitin 2011, kohë kur drejtohej nga Hila.

I pranishëm personalisht në Bushat, ku u zhvillua ceremoninë e dekorimit, Nishani ia ka dhuruar dekoratën kryekomunarit në praninë e dhjetëra banorëve të zonës, deputetëve të parlamentit shqiptar, drejtuesve vendorë.

Dekorata dedikuar Zef Hilës mbante titullin: “Për merita të veçanta civile” me motivacionin: “Ka shfaqur cilësi të veçanta administruese dhe përkushtim të lartë ndaj qytetarëve në nevojë, në rrethana të fatkeqësive natyrore”.

Gjatë fjalës së tij presidenti i Republikës ka vlerësuar kontributin e banorëve të komunës së Bushatit e në mënyrë të veçantë të kryetarit Zef Hila. "E ndiej veten te privilegjuar kete vit dhe në prag të festave të jem me miqtë dhe banorët e një prej zonave më të bukur të Shqipërisë, komunës Bushat. Të jem mes banorëve të një komuniteti ndër më patriotikët të trojeve shqiptare, të jem midis njerzëve më punëtorë të vendit dhe të kombit tonë, siç janë banorët e Bushatit", u shpreh Presidenti Nishani fillimisht për komunën e më pas për kryetarin e saj.

"Një qytetar, i cili ka arritur të fitojë mbështetjen tuaj, besimin tuaj, simpatinë tuaj, por jam i bindur që gjatë gjithë këtyre viteve ka arritur ta justifikojë këtë besim që keni ai dhe vlersim qe i keni dhenë përmes dinjitetit, punës, përkushtimit, përmes menaxhimit të punëve që i duhen komunitetit. Jam i bindur që kryetari juaj ka ditur të tregohet kryetar i të gjithë qytetarve të kësaj zone. Kemi nevojë gjithmon e më shumë për shembuj të mirë, për shembuj të njerzëve të thjeshtë , të civilizuar, familjarë, të përkushtuar, të ndershëm, për shembuj të njerzëve që kur marrin përsipër detyra, dinë t'i çojnë ato deri në fund. Ky është një shembull për të cilin ne duhet të kërkojmë gjithmon e më shumë, duhet t'i gjejme ata midis nesh, duhet ti mbështesim dhe t'i përkrahim deri në fund", tha Nishani.

"Sot në këtë ditë të veçantë për mua dhe familjen time, ndihem me të vërtet i nderuar dhe i respektuar. Në këto momente të një vlerësimi të veçantë përpara kësaj pjesëmarrjeje të mrekullueshme të komunitetit të Bushatit. Unë dua të falenderoj në mënyrë të veçantë kryetarin e shtetit, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Shkëlqësinë e tij, zotin Bujar Nishani. Prezenca e presidentit ne komunën Bushat në prag të festave të fundvitit është një vlersim i lartë që kryetari i shtetit ka për të zgjedhurit lokalë. Sigurisht që ky vlersim i lartë nuk më përket vetëm mua por dhe këshillit të komunës së Bushatit, stafit të komunës së Bushatit dhe në mënyrë të veçantë banorëve të nderuar dhe të respektuar të komunës së Bushati", u shpreh Zef Hila.

Në kuadër të kësaj ceremonie ishte organizuar një aktivitet festiv me këngëtarë të njohur të muzikës popullore shkodrane, të cilët e kanë kthyer në një festë këtë ditë të dekorimit të kryetarit të komunës Bushat.

Kjo veprimtari u mbyll me një program artistik të organizuar nga komuna e Bushatit.

Redaksia Online
(mag/a.ç/shqiptarja.com)