TIRANE- Presidenti Nishani dekreton emërimin e Qemal Minxhozi, ambasador në Republikën e Kosovës, Ilir Boçka ambasador në Republikën e Serbisë, Petrit Bushatin, ambasador në Republikën e Maqedonisë e Pëllumb Qazimin, ambasador në Republikën e Sllovenisë.

Njëherësh ai ka dekretuar lirimin nga detyra të Florent Çelikut ambasador në Poloni, rezident, e Estoni, Letoni dhe Ukrahinë, jo rezident, lirimin nga detyra të Petrit Karabinës ambasador në Bullgari, rezident dhe Moldavi, si dhe lirimin Bujar Skëndos, ambasador në Shtetin e Izraelit.

Ndërkohë që presidenti Bujar Nishani nuk ka dekretuar emërimin e tre ambasadorëve të cilët ishin diskutuar më parë në komisionin e Jashtëm parlamentar dhe kishin radhën për dekret, duke e kapërcyer këtë radhë dhe duke emëruar ambasadorët në fjalë, që kanë më pak se një javë që janë bërë publikë.

Kështu, kreu i shtetit nuk ka hedhur firmën për ambasadorët Adriana Hobdari, Artur Kuko dhe Roland Bimo, duke hyrë në një konflikt i ri me mazhorancën, duke “stopuar” për emrat e tjerë ku krahas kandidates për ambasadore në KE, Hobdari janë kandidatët në Gjermani e Austri, përkatësisht Kuko e Bimo.

Ende s’ka shpjegime për refuzimin e hedhjes së firmës së Nishanit mbi këto dekrete, ndërkohë që gazeta “Shqiptarja.com” refuzimin e këtyre kandidaturave e ka lajmëruar që më 30 janar të këtij viti.

Ndërsa ka firmosur dekretet për emërimin e ambasadorëve Leonard Demi dhe Ilir Gjoni përkatësisht në NATO dhe Zvicër, Nishani ka treguar qartë se emërimi i tre ambasadorëve do hasë vështirësi.

Shkrimi u publikua sot (11.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)