TIRANË - Reagon sot presidenti Bujar Nishani për shtyrjen e vendimit për Statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në BE, "pavarësisht rekomandimit të Komisionit Evropian dhe Rezolutës mbështetëse të Parlamentit Evropian".

Sipas Presidentit, qytetarët shqiptarë kanë mbështetur pa dilemën më të vogël reformat e nevojshme, shpeshherë mbushur me sfida dhe sakrifica të dhimbshme, me bindjen e palëkundur se integrimi evropian nuk ka alternativë.

"Shqiptarët janë qytetarë evropianë dhe, për pasojë, meritojnë një jetë me standarde evropiane", "shoqëria shqiptare po vihet edhe një herë në provë", "udhëtimi ynë evropian vazhdon", ka thene nder te tjera Nishani.

"Ne duhet të kemi parasysh se mund të përparojmë mbi bazën e pajtimeve dhe jo të konflikteve", ka theksuar presidenti, duke shtuar se "mbetem i bindur se klasa politike do t`ia dalë të mbajë të gjallë dialogun dhe të gjejë konsensusin, kur ai kërkohet".

FJALA E PLOTË E PRESIDENTIT, BUJAR NISHANI:

Këshilli Evropian nuk i ka dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, pavarësisht rekomandimit të Komisionit Evropian dhe Rezolutës mbështetëse të Parlamentit Evropian.

Qytetarët shqiptarë kanë mbështetur pa dilemën më të vogël reformat e nevojshme, shpeshherë mbushur me sfida dhe sakrifica të dhimbshme, me bindjen e palëkundur se integrimi evropian nuk ka alternativë.

Ata na kanë motivuar neve politikanëve, edhe në momente ngërçi, duke na orientuar drejt, që të ngrihemi mbi interesat e ngushta politike dhe duke na mësuar se interesat tona shtetërore dhe kombëtare duhet të përcaktojnë detyrimet tona, dhe jo e kundërta.

Shqiptarët janë qytetarë evropianë dhe, për pasojë, meritojnë një jetë me standarde evropiane. Integrimi evropian mund ta garantojë këtë.

Shoqëria shqiptare po vihet edhe një herë, në provë.

Ajo duhet  të tregojë se ka aftësinë dhe pjekurinë e mjaftueshme për të mos i shfaqur dallimet e saj për hir të realizimit të objektivave të përbashkëta.

Ne duhet të kemi parasysh se mund të përparojmë mbi bazën e pajtimeve dhe jo të konflikteve.

Mbetem i bindur se klasa politike do t`ia dalë të mbajë të gjallë dialogun dhe të gjejë konsensusin, kur ai kërkohet.

Shoqëria civile dhe media do të vazhdojnë të jenë zëdhënës të fuqishëm të ëndrrës evropiane të shqiptarëve.

Të gjithë aktorët e skenës shoqërore, politike dhe shtetërore, do t`ia dalin të bëhen bashkë, të gjejnë kohezionin e domosdoshëm, kur bëhet fjalë për rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian.

Të vetëdijshëm se në Bashkimin Evropian shkohet me meritë, bazuar në performancën tonë, do të bashkëpunojmë edhe më ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë Evropianë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë demonstruar gjithmonë zemërgjerësi dhe mirëbesim ndaj Shqipërisë, që nga fillimi i proceseve demokratike.

Ndihma dhe mbështetja e tyre janë jetike për materializimin e përgjegjësive tona.

Udhëtimi ynë evropian vazhdon.

Më shumë përgjegjësi kërkohet dhe më të mëdha mbeten sfidat para nesh.

Por, tashmë kemi maturinë, motivimin dhe qartësinë e nevojshme, për të shkuar deri në fund.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)