Në një intervistë të dhënë dy ditë më parë për Abc news zoti Nishani tha se lista e kandidatëve ishte e gjatë, por në momentin kur do të krijonte bindjen për kandidatin përfundimtar, menjëherë do e dërgonte dekretin në Parlament, një veprim i cili do të kryhet brenda nëntorit.
“Unë kam filluar të punoj për përgatitjen e dekretit për kandidatin për Prokuror të Përgjithshëm.”- tha Nishani duke shtuar se në momentin kur do të krijonte bindjen për kandidatin përfundimtar, menjëherë do e dërgonte dekretin në Parlament, një veprim i cili besonte se do të kryente brenda nëntorit.
Lidhur me debatin për përfundimin e mandatit në maj 2013 apo në nëntor, Nishani tha nuk kishte asnjë dilemë për këtë cështje. “Nëse do të kisha një dilemë, padyshim që do të shkoja në Gjykatën Kushtetuese. Në Gjykatën Kushtetuese shkon dikush që ka një kundërshti, apo një dilemë.”- tha Nishani.
Ai shtoi se në qëndrimin e tij nuk i ishte referuar dhe nuk i referohej as opozitës dhe as mazhorancës në këtë çështje.
“I referohem tërësisht, në radhë të parë bindjeve si President i Republikës, të drejtë të cilën ma jep Kushtetuta dhe ligji për këtë rast dhe, pa dyshim, argumenteve që ekspertët konstitucionalistë më prezantuan. Rasti është shumë i thjeshtë dhe unë jam i bindur që edhe nëse do të ketë kundërshti, do të jenë shumë formale, në interpretime e kam fjalën, për faktin se do ta gjykojmë shumë thjesht: e kemi Prokurorin e Përgjithshëm me mandat, apo e kemi Prokurorin e Përgjithshëm pa mandat. Besoj që të gjithë biem dakord që është me mandat”. Nishani tha se do të kontribuonte që Institucioni i Prokurorisë të qëndrojë tërësisht larg debatit politik, tërësisht jashtë influencave politike të njërës palë apo palës tjetër.
PROKURORIA DO E COJME NE KUSHTETUESE
Prokuroria e Përgjithshme pritet t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim të çështjes që lidhet me përfundimin e mandatit të kreut aktual të këtij institucioni. Burime pranë organit kryesor të akuzës të cilat u referohet gazeta Shqiptarja.com bëjnë me dije se një nismë e tillë do të ndërmerret vetëm nëse presidenti Bujar Nishani do të firmosë dekretin për shkarkimin e Ina Ramës. Megjithatë burimet zyrtare të prokurorisë bëjnë të ditur se çdo nismë ligjore do të ndërmerret vetëm kur të jetë zyrtarizuar dekreti i shkarkimit nga ana e kreut të shtetit.
Edhe pse ministri i Drejtësisë dhe deputetë të mazhorancës kanë deklaruar se duke nisur nga dita e djeshme vendi i kryeprokurores është vakant. Ina Rama është paraqitur dje në zyrën e saj duke ushtruar normalisht funksionet e saj kushtetuese.
DEBATI PER MANDATIN
I gjithë debati i referohet ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008, ku mandati i kryeprokurores u kufizua në 5 vjet. Ina Rama u emërua në detyrë në 22 nëntor 2007 dhe sipas mazhorancës mandati i saj përfundon fiks pas 5 vjetësh, pra në 22 nëntor të 2012. Ndërkohë opozita ka deklaruar se ligji nuk mund të ketë fuqi prapa vepruese dhe se mandati i Ina Ramës do të nisë si i kufizuar nga data kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese pra në 23 maj të 2008 dhe përfundon në 23 maj të 2013-ës. Ndërkaq asnjë prej palëve nuk i është drejtuar Kushtetueses ndërsa presidenti ka nisur procedurat për emërimin e kryeprokurorit të ri, duke e cilësuar të ezauruar mandatin e Ina Ramës. Që sipas kreut të shtetit e ka përfunduar kohën e qëndrimit të saj në krye të organit të akuzës dhe në respekt të Kushtetutës duhet të emërohet krye¬prokurori i ri.
(sg/shqiptarja.com)