Nishani: Franca na ka mbështetur
Desir:Ka progres, por duhet më tepë

Nishani: Franca na ka mbështetur<br />Desir:Ka progres, por duhet më tepë
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në takim me ministrin francez të Shtetit për Çështjet Evropiane, Harlem Desir vlerësoi se edhe në periudhat më të vështira të diktaturës komuniste, Franca ka qenë një simbol inkurajimi për shqiptarët dhe mbajtjes gjallë të ëndrrës së lirisë.

Ndërkohë që Desir vlerësoi progresin e deritanishëm të Shqipërisë, por theksoi edhe nevojën për të demonstruar përparim në reformën në fushën e drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Vetëm kështu, do të mund të realizohet hapja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimit Evropian”.-ka theksuar ai në takim.

Duke u ndalur në procesin e integrimit evropian, Presidenti Nishani shprehu falënderimet për mbështetjen që Franca dhe Presidenti Hollande personalisht i dhanë Shqipërisë për marrjen e statusit të Vendit Kandidat në Bashkimin Evropian dhe shtoi se: “Shqipëria është tërësisht e fokusuar në procesin e integrimit evropian, si projekti kryesor dhe më i madhi për vendin. Integrimi evropian është alternativa jonë e vetme, për të cilën shqiptarët nuk do të ndalen dhe nuk do të lodhen asnjëherë deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”.

Kreu i Shtetit e vlerësoi si tentativë për të ikur nga debati i vërtetë i procesit, fokusimin tek debati për lodhjen e Bashkimit Evropian nga zgjerimi, duke theksuar se: “Është shumë e rëndësishme që të fokusohemi tek realizimi i reformave”.
 
Presidenti i Nishani  theksoi gjithashtu se marrja e këtij statusi ka shërbyer si mesazh inkurajues për të ecur më me vendosmëri në rrugën e reformave. Kreu i Shtetit u ndal në sfidat e shumta që ka procesi i integrimit evropian të vendit, si dhe në domosdoshmërinë e kryerjes së reformave të thella në të gjitha fushat e rëndësishme.
 
Një theks të veçantë, Presidenti Nishani e vuri në domosdoshmërinë e kryerjes së reformave institucionale, zbatimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të shtetit ligjor. Kreu i Shtetit theksoi se: “Reforma në drejtësi është reforma kyçe dhe ajo duhet të jetë e thellë, serioze dhe premtuese, pasi lidhet ngushtë me hapat dhe progresin e reformave të tjera”.
 
Duke u ndalur në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve Presidenti i Republikës theksoi se: “Me gjithë se në bashkëpunimit tonë dypalësh në këtë fushë, ka disa histori suksesi, ato janë ende shumë larg potencialeve dhe burimeve reale që ekzistojnë”.
 
Desir nga ana e tij, vlerësoi si të nevojshme ndërtimin e klimës së besimit për investitorët francezë, përmes kryerjes së reformave dhe efikasitetit në luftën kundër korrupsionit.
 
 Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku Presidenti Nishani e siguroi zyrtarin francez se: “Shqipëria është shumë e angazhuar për bashkëpunimin rajonal, duke besuar tërësisht tek fqinjësia e mirë, bashkëpunimi, respekti i ndërsjellë dhe dialogu i hapur mes vendeve të rajonit”.
 
Kreu i Shtetit shqiptar theksoi gjithashtu edhe nevojën për mbështetjen nga Bashkimi Evropian të projekteve rajonale zhvillimore, për të cilat Sekretari i Shtetit, Harlem Desir  vlerësoi se duhen shfrytëzuar të gjitha mundësitë e krijuara nga Konferenca e Berlinit, Procesi i Brdo-Brijunit, si dhe vëmendjes së vendeve të veçanta si Franca dhe Gjermania, e të tjera, për të bindur Bashkimin Evropian në financimin e tyre.
 
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot dhe zhvilloi një takim të veçantë me Sekretarin francez të Shtetit për Çështjet Evropiane, zotin Harlem Desir, i cili po kryen një vizitë zyrtare në Shqipëri.
 
Kreu i Shtetit i shprehu Sekretarit Desir edhe urimet për 14 Korrikun, Ditën Kombëtare të Francës, duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore dhe të bashkëpunimit shumëdimensional të krijuar veçanërisht gjatë 25 viteve të fundit.

Nga ana e tij Sekretari francez i Shtetit, Desir përcolli përshëndetjet e përzemërta të Presidentit francez François Hollande për Presidentin Nishani dhe konfirmoi mbështetjen e tij dhe të Francës në kuadrin e procesit të integrimit evropian të vendit.

Desir konfirmoi se Franca, në vijim të procesit të Berlinit, do të organizojë në vitin e ardhshëm, më 2016-n, një konferencë të ngjashme për të mbajtur në qendër të vëmendjes së Bashkimit Evropian zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe financimin e projekteve rajonale zhvillimore. Sipas tij, mbështetja e financiare e projekteve rajonale jep shpresë për të gjitha vendet e rajonit dhe qytetarët e tyre.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

 Të paktën 19 të vdekur dhe 'shumë të zhdukur' nga përmbytjet në Bosnje

Të paktën 19 të vdekur dhe 'shumë të zhdukur' nga përmbytjet në Bosnje