Nishani- Hahn: Propozim për krijimin e Forumit të Krerëve të Shteteve të Ballkanit Perëndimo

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti në një takim Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.
Presidenti Nishani, pasi e njohu Komisionerin Johannes Hahn rreth mënyrës realiste se si perceptohet në Shqipëri procesi i integrimit si dhe mbi mbështetjen e gjerë e solide nga shqiptarët, theksoi domosdoshmërinë e përmbushjes së standardeve evropiane. "Kryefjala e këtij procesi mbetet reforma e gjithanshme dhe e mbështetur në vullnet të fortë e të palëkundur politik për zbatimin e saj në frymën evropiane", tha ai. Presidenti u ndal më gjerësisht tek reforma në fushën e drejtësisë, që "përbën një prej pesë prioriteteve kyçe, nga suksesi e të cilave ndërvaret dhe hapja e negociatave të anëtarësimit", tha Nishani.
 Kreu i Shtetit evidentoi se partneriteti evropian është veçanërisht i domosdoshëm në reformën në drejtësi, duke nënvizuar domosdoshmërinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve dhe operatorëve të sistemit të drejtësisë dhe posaçërisht edhe të Komisionit të Venecias, në hartimin dhe certifikimin e kësaj reforme kyç për vendin. "Kjo reformë, u shpreh më tej Presidenti, duhet të ecë me vendosmëri krah për krah me luftën e pakompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit".
Ndërsa Komisioneri Johannes Hahn theksoi se "reforma në drejtësi është një element kyç i demokracisë dhe se në këtë kontekst vlerëson se respekti i ndërsjellë i aktorëve të përfshirë është shumë i rëndësishëm për të shënuar sukses të qëndrueshëm. Hahn u shpreh se edhe pse konsensusi nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, respekti ndaj Kushtetutës dhe pronësia e procesit të reformave janë domosdoshmëri dhe ajo çka të gjithë presin nga Shqipëria. Duke iu referuar ambicies për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, Komisioneri Hahn u shpreh se Ballkani Perëndimor e ka vendin në Bashkimin Evropian, por se standardet janë të panegociueshme dhe se në këtë kontekst, nuk e sheh me vend diskutimin e afateve kohore, por se kjo do të varet nga performanca e çdo vendi".
Në fund të takimit u diskutua edhe mbi projektet e përbashkëta rajonale dhe fokusin e shtuar që vendet e Ballkanit Perëndimor po i kushtojnë bashkëpunimit konkret rajonal. Në këtë kuadër u propozua krijimi i Forumit të Krerëve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor për të avancuar më tej këto projekte. /atsh/
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë