Nishani: Historia tregon si janë
ndarë kufijtë dhe jo dëshirat

Në një intervistë televizive, kreu i shtetit foli për çështje të rëndësishme të interesit kombëtar, duke përfshirë këtu deklaratat e kreut të qeverisë për nacionalizmat, bashkimin e kufijve, emërimet e kreut të SHISH dhe kryeprokurorit. Presidenti i vendit tha dje se përsa i përket ndryshimit të kufijve dhe bashkimin kombëtar mes shqiptarëve, vetë historia e ka bërë një gjë të tillë. Ai theksoi se prioritet i sistemit të drejtësisë është zbatimi i ligjeve nga gjithë gjyqtarët.

Cilin prej vendimeve deri më sot e keni marrë pa pëlqimin e shefit të mazhorancës?

Varet se cili është këndvështrimi juaj që thoni "pëlqimin e Shefit të mazhorancës". Në fakt, disa nga vendimet e Presidentit lidhen drejtpërsëdrejti me bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë, ku, mazhoranca e opozita, kanë të drejtën e tyre të parashikuar në Kushtetutë dhe në ligje, të cilët duhet të miratojnë dekretet e Presidentit. Nëse e keni fjalën në këtë sens, atëherë mund t'ju them që metoda ime e punës padyshim është që të ofrojë kontributet e mia për shoqërinë.

Pse Kryeministri menjëherë pas zgjedhjes së Bujar Nishanit, ushtroi këtë të drejtë kushtetuese për të zgjedhur një Kryetar të Shërbimit Informativ dhe a ka pasur një marrëveshje paraprake ndërmjet jush, zotit Berisha apo zotit Meta?


Përse e ka zgjedhur Kryeministri, këtë pyetje duhet t'ia adresoni Kryeministrit. Ndërsa për pjesën e dytë të pyetjes suaj, ju garantoj ju dhe opinionin publik që nuk ka pasur jo marrëveshje, por asnjë bisedë paraprake për çështje të tilla, absolutisht. Për më tepër që unë kam një eksperiencë të gjatë dhe në qenien si pjesë e kabinetit qeveritar, si ministër i një qeverie të caktuar, i një mazhorance të caktuar, nuk kam pasur kurrë në përvojën time kushte apo parakushte paraprake në mënyrën e ushtrimit të detyrës së institucionit. Më duket sikur të dekretosh pa asnjë lloj mëdyshje një ish personazh të SHIK-ut të para vitit '97 të Gazidedes, në Shërbimin e sotëm, mund të jetë një akt i ligjshëm, por vetëm akt jopartizan nuk më duket.

Unë besoj se nëse do të përdorim si një masë vlerësimi për individin, për një person të caktuar, institucionin në të cilin ka punuar në një periudhë të caktuar, unë besoj që ne jemi së pari në dhunim të së drejtës së tij. Drejtori aktual, i cili është dekretuar nuk ka pasur asnjë veprimtari të tij antikushtetuese, pro partizane të artikuluar, të gjetur, apo të evidentuar. Ka qenë një nëpunës i nderuar i shtetit, ka punuar në një sektor shumë të vlerësuar, ashtu siç ka pasur tërë karrierën e tij si profesionale, por dhe qytetare me një nivel shumë të lartë integriteti.

Nga ana tjetër, në Parlamentin shqiptar është paraqitur një rezolutë, që është quajtur Rezoluta e Çështjes Çame, e zotit Idrizi. Nga ana ambasadori i ardhshëm i Republikës së Greqisë, që do të jetë në Shqipëri dhe që ju dorëzoi kredencialet, ka qenë rreth tri vite Drejtor i Shërbimeve Sekrete greke, premtimi publik që bëri Kryeministri sa u përket pasaportave për të gjithë shqiptarët. Në këto akte si e ndjeni veten?

Kushtetuta e rrit obligimin në këtë sens që ju e thatë dhe për Presidentin e Republikës dhe për çdo qytetar shqiptar, çdo institucion. Çështja kombëtare është çështje prioritare për shqiptarët, është një çështje, e cila kërkon angazhime shumë serioze, kërkon kontribute reale. Çështja kombëtare është e lidhur pazgjidhshmërisht me prosperitetin, me përparimin ekonomik, me përparimin e demokracisë për shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, apo kudo që ata jetojnë. Çështja e nënshtetësisë: Presidenti i Republikës do të mbështesë çdo kërkesë të vullnetshme që do të vijë për marrjen e nënshtetësisë së Republikës së Shqipërisë nga të gjithë shqiptarët, në momentin që hapësira ligjore krijohet.

Kemi deklaratën e Kryeministrit për bashkim kombëtar. Kemi deklaratën e Kryeministrit për pajisjen me pasaporta të shqiptarëve kudo që janë. Janë deklarata elektorale, apo ka dhe një konsultë ndërmjet Kreut të Qeverisë me Kreun e Shtetit?

Konsultë në çfarë drejtimi? Këtu nuk po përcaktohen strategji të caktuara, apo udhërrëfyes mbi të cilët do të ecin institucionet e shtetit. Unë besoj që askush nuk mund të thotë sot se është e parëndësishme që ne të diskutojmë për çështjen kombëtare, aq më tepër, pikërisht sot kur shqiptarët janë kthyer në kontribues shumë të rëndësishëm të paqes, stabilitetit në rajonin ku jetojmë. Shpeshherë thuhet bashkimi kombëtar dhe, në fakt, unë kam krijuar një bindje që, në tërësi, në analizat që bëhen, ka një lloj dëshire për të ndryshuar pak sensin e deklaratave.

Besoj që jeni njohur me draftin e kësaj rezolute dhe pyetja ime është: e konsideroni këtë nismë të gabuar, e konsideroni të drejtë, por në momentin e gabuar, apo e konsideroni edhe të drejtë, edhe në momentin e duhur?

Absolutisht është një nismë në të drejtën e plotë e këtij komuniteti. Është një nismë e dërguar në momentin që ata e kanë gjykuar më të mundshëm për ta ndërmarrë. Nuk mundemi ne të gjykojmë për një iniciativë, që është e drejtë e individit apo e grupeve, si dhe nëse kanë gjetur momentin e përshtatshëm apo momentin e gabuar. Ajo që për mua është e rëndësishme ka të bëjë me faktin që çështja e pronave të komunitetit çam është një çështje që do zgjidhje. Është një çështje, e cila duhet adresuar. Përsa i takon përmbajtjes së rezolutës unë jam njohur përmes mediave, nuk kam pasur rastin ta shoh, por natyrisht është ajo që media ka, sepse media e ka përcjellë në mënyrë shumë serioze.

A do të ishte Presidenti i Republikës kundër një ndryshimi kufijsh në mënyrë të vullnetshme ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës?

Ndryshimi i kufijve nuk është çështje dëshire individësh apo dy vendeve të ndryshme. Çështjet e kufijve janë çështje të së drejtës ndërkombëtare dhe shikohen në një kontekst shumë më të gjerë. Historia tregon sesi janë vendosur kufijtë, si janë trajtuar kufijtë, si kanë funksionuar kufijtë, kështu që ne nuk mund të shkojmë në një mënyrë kaq të ngushtë e kaq të ngurtë në mënyrën e interpretimit të ndryshimit të kufijve.

Çfarë mund të bëni ju për të kthyer përmbys këtë sistem, që na e keni vizatuar si totalisht të korruptuar?

Nuk kam bërë dhe nuk do të bëj asnjëherë komente të deklaratave të partive politike. Pikërisht, çdo palë ka të drejtë për të mbajtur qëndrime dhe ky është qëndrimi i saj. Nuk kam ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyj kurrë të bëj interpretime, mbështetje, apo kundërshti të qëndrimeve politike të palëve politike. Së dyti, nuk pretendoj dhe nuk mund ta mendoj kurrë që një President, apo ndonjë institucion tjetër të bëjë përmbysjen e madhe. Që ekziston një problematikë e tillë në kriteret, le të themi të emërimit dhe karrierës së gjyqtarëve, kjo është evidente.


(Marre nga gazeta Shqiptarja.com, print)
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë