TIRANE- Zyra e Shtypit të Presidentit Nishani ka shprehur keqardhje për “vërejtjet krejtësisht të pavenda, spekulative e të paprincipta, që 2 zyrtarë të lartë të Qeverisë që mbajnë respektivisht detyrën e kreut të ALUIZNI e Këshilltarit të Kryeministrit bënë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj Institucionit e vetë Presidentit”. Lidhur me veprimet për sistemimin e një pjese të rrethimit të godinës së Presidencës, s’parashikohet heqja e rrethimit të godinës.

“Godina e Presidencës, Monument Kulture i kategorisë së dytë, shpallur ligjërisht më 2007 deri më sot me pamje të jashtme të bunkerizuar e aestetike, rrethohet me kangjella metalike me probleme evidente të gërryerjes korrodive. Sistemimet po bëhen me synimin e vetëm përmirësimin e pamjes së jashtme të godinës së Presidencës, harmonizimin funksional dhe estetik të asaj godine me hapësirat urbane rreth saj, për të bërë të mundur në këtë mënyrë, hapjen dinjitoze të Institucionit për vizitorët vendas dhe të huaj”, thotë deklarata.

“Presidenti, i habitur dhe i lënduar skajshëm me nostalgjizmin sovjetik të kritizerëve, siguron se gjatë këtyre punimeve restauruese, në asnjë rast, në asnjë fragment dhe për asnjë çast, s’është fjala për asnjë tjetërsim estetik e asnjë prekje trashëgimie, e shpreh keqardhjen e thellë njerëzore e institucionale për këtë sulm politik të radhës”, përfundon deklarata.
 
Shkrimi u publikua sot (16.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)