Nishani: Ina Rama s'është
në lartësinë ku unë e kërkoj

Nishani: Ina Rama s'është<br />në lartësinë ku unë e kërkoj
TIRANE- Presidenti Bujar Nishani, në një intervistë për Blendi Fevziun, ka përsëritur sërish se është i pakënaqur nga puna e prokurorisë, duke nënkuptuar kështu se Ina Rama nuk do vazhdojë të jetë në krye të institucionit. "Ajo që është e qartë për presidentin është fakti se prokuroria si institucion nuk është në lartësinë ku presidenti kërkon të jetë organi i akuzës. Presidenti kërkon një ridimension shumë të madh të punës së prokurorisë, veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit, por presidenti do mbështesë me tërë fuqinë e tij kryeprokuroren", tha Nishani.

Edhe pas insistimit se kur do ndryshohet kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, në nëntor apo në prill, Nishani s'dha një përgjigje, duke thënë se do respektohet Kushtetuta. Ai tha se askush nuk do zhgënjehet nga korrektësia me të cilën do veprojë ai. I pyetur në lidhje me çështjen e kreut të ri të Shërbimit Informativ të Shtetit, ai tha se këtë e kërkoi kryeministri. I pyetur se a kanë reaguar partnerët ndërkombëtarë, Nishani tha se ai ka dhënë garanci për emrin e Visho Ajazit. "Unë jam para qytetarëve dhe do të jem deri në ditën e fundit për të treguar se cila është detyra e përgjegjësia ime personale. Në filozofinë time jam për një ushtrim të funksioneve të respektit reciprok, por jo të konfliktualitetit mes institucioneve. Ai nuk është i dobishëm për shqiptarët, ai sjell vetëm problematika e ngërçe. Ajo që kam garantuar tek miqtë tanë e partnerët ka të bëjë me faktin se drejtuesi aktual është një person me aftësi të spikatura dhe me integritet të lartë. Bashkëpunimi me partnerët tanë do të vijë duke u forcuar akoma më shumë," tha Nishani. Presidenti deklaroi se nuk ka asnjë negociatë për ndarjen e detit me Greqinë. "Më është konfirmuar se nuk ka asnjë negociatë apo iniciativë të tillë," tha Nishani. "Presidenti do të përfshihet për aq sa e parashikon Kushtetuta. Presidenti do të ofrojë të gjithë gatishmërinë për të mbështetur të gjitha standardet e konventave ku është palë prej shumë vitesh. Nuk jam i qartë se si është ndërtuar puna në të shkuarën", vijoi Nishani. Duke folur për marrëdhëniet me opozitën, Nishani tha se do e ftojë Edi Ramën në një takim. "Pse jo, do e ftoj Edi Ramën për takim. Ndoshta i takon presidentit ta marrë këtë hap" tha ai. Ndërsa duke komentuar ftesën e tij për opozitën për vizitën në Kosovë, Nishani pranoi se ka qenë një komunikim privat dhe jo zyrtar.

"Ka qenë një komunikim privat dhe unë besoj se komunikimet private mbeten private. Nuk ka qenë një komunikim zyrtar. Ideja ka qenë shumë e sinqertë. Nuk ka pasur asnjë paragjykim apo paramendim. Por duhet të kemi parasysh diçka se presidenti nuk bën ftesa me letër," tha Nishani. Ai konfirmoi se është takuar me Berishën, por nuk tha nëse është takuar shpesh apo jo. Duke folur për detyrën e re, Nishani tha se ajo është e vështirë pasi nuk ka kush të të korrigjojë, ndryshe nga kur ishte ministër. Kësaj here në Asamblenë e Përgjithshme të OKB do të shkojë presidenti dhe jo kryeministri, siç ka bërë zakonisht Berisha, duke e spostuar Topin. "Meqë vitin e shkuar ishte kryeministri, e pamë të arsyeshme që këtë vit të ishte presidenti," tha Nishani.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shtetet e pasura zotohen të japin 300 miliardë $ në vit për vendet në zhvillim që përballen me efektin e ndryshimeve klimatike

Shtetet e pasura zotohen të japin 300 miliardë $ në vit për vendet në zhvillim që përballen me efektin e ndryshimeve klimatike