Nishani konflikt “turistik” me
shumicën, nuk i firmos ligjin
PDF - Arsyet për kthimin e ligjit

Nishani konflikt “turistik” me<br />shumicën, nuk i firmos ligjin<br />PDF - Arsyet për kthimin e ligjit
TIRANE - Presidenti i Republikës Bujar Nishani nuk e ka bekuar ligjin për turizmin duke e kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend. Përmes një njoftimi në faqen e presidencës Kreu i Shtetit e cilëson këtë ligj antikushtetues dhe për këtë arsye ai rendit argumentet dhe arsyet e kthimit të këtij ligji. Së pari sipas Nishanit fondi për financimin e projekteve nen fushën e turizmit nuk i nënshtrohet rregullave te prokurimit publik duke rënë ndesh më nenin 7 të ligjit të prokurimeve.

Dekreti i plotë i Nishanit për kthimin e ligjit të Nishanit

Kuvendi shprehet brenda 10 ditëve për ligjin, duke reflektuar ndryshimet, ose duke e rimiratuar, i cili hyn në fuqi automatikisht. Krahas “Turizmit”, një tjetër ligj i qeverisë ai për “Arsimin e Lartë”, gjithashtu rrezikon të kthehet për rishqyrtim nga Presidenti. Ligji për “Turizmin” është miratuar një javë pas atij për “Arsimin”, çka do të thotë se Presidenti ka patur kohë të mjaftueshme për tu shprehur edhe pas 10 ditësh.

Por, nisur nga debati i hapur për ligjin e Arsimit të Lartë, kreu i shtetit ka preferuar të marrë më tepër kohë për të vendosur. Gjithsesi, burime për “Shqiptarja.com” konfirmuan dje se Presidenti Nishani do të shprehet për “Arsimin”, duke përfshirë edhe miratimin në ‘heshtje’, brenda kësaj jave.
 
Cilat janë gjetjet antikushtetuese sipas Presidentit, në ligjin e “Turizmit”? 
Së pari, Presidenti thotë se ka shkelje në të drejtën që i jep ligji i ri ministrit të Ekonomisë dhe Turizmit për të përdorur fonde pa prokurim. Së dyti, ligji sipas Presidentit bie ndesh me Kushtetutën pasi parashikon që pasuritë e paluajtshme në administrim të njësive të qeverisjes vendore, që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimi turizmi brenda 2 muajve kalojnë në administrim të Ministrisë përgjegjëse për turizmin.

Po me këtë dispozitë cenohet edhe e drejta e pronësisë së pronarëve të ligjshëm, pasi shteti lejohet të ndërhyjë në rastet kur nuk ka një marrëveshje me pronarin, duke e shpronësuar atë, dhe pronën ia vë në dispozicion investitorëve. Në përfundim, Presidenti i Republikës shton se rregullimet ligjore cenojnë parimin e sigurisë juridike, pasi nuk tregohet mënyra rregullat dhe procedurat për të vënë në dispozicion të investitorit pronën shtetërore.
 
Për “Turizmin”, edhe mazhoranca e përçarë...
Para se ligji të mbërrinte në tryezën e Presidentit për dekretim, ligji për “Turizmin” është kundërshtuar në disa pika edhe nga vetë deputetët e mazhorancës, gjatë votimit të tij në Kuvend në 27 Korrik. Në seancë, mazhoranca miratoi ndryshimet që i hiqnin ministrit të Ekonomisë drejtën për të miratuar me urdhrin e tij kushtet dhe procedurat e klasifikimit të sipërmarrjeve turistike, duke ia lënë në dorë kriteret këshillit të ministrave. Pikërisht, gjatë diskutimeve në Kuvend, pati dhe një debat mes ministrit Arben Ahmetaj dhe deputetëve Bashkim Fino dhe Fatmir Xhafaj.

Për socialistin Fino, ky ligj sjell turizëm vjetor të integruar, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, si dhe formalizimin dhe standardizimin e industrisë së turizmit. Ishte Fatmir Xhafaj i cili kërkoi amendime të posaçme për projektligjin, duke u përfshirë në një debat edhe ministrin Ahmetaj. Vetëm pas një pushimi të shkurtër të Kuvendit, mazhoranca u dakordësua në qëndrimet e saj dhe votoi unanimisht “pro” ligjit.  
 
Çfarë synon ligji për “Turizmin” dhe cilat janë efektet e tij? 
Qeveria e ka arsyetuar ligjin për Turizmin në funksion të ndaljes të fenomenit të “golemizimit”. Ligji ka për qëllim ridimensionimin e investimeve në zonat me zhvillim. Tokat shtetërore do tu jepen investitorëve strategjikë me “1 euro” me konkurrim dhe rregulla që i vendos Këshilli i Ministrave.

Sipas ligjit, toka shtetërore i jepet investitorit me një afat prej 99 vjet me “1 euro”. Sipas nenit 34, pika 5: në rastin e investitorëve me status investitor strategjik i veçantë, sipas përcaktimit të legjislacionit për investimet strategjike, Këshilli i Ministrave mund të vendosë rast pas rasti transferimin e së drejtës së pronësisë të pasurive të paluajtshme shtetërore tek investitori privat, duke kushtëzuar kalimin me rrënjëzimin e plotë të investimit, diferencë nga të gjithë herët e tjera, kushtëzuar investimit. Ligji synon gjithashtu që të lehtësojë investitorin në marrëdhënie me pronarët.

Pra, jo vetëm që shpronësimi për interes publik i vendosur në ligjin e investimeve strategjike i referohet ligjit të shpronësime dhe që është ligji bazë, por jep mundësinë dhe shteti asiston në një negociatorë të mundshme me pronarët. Aty ku toka nuk është regjistruar, sipas ligjit të ri, ZRPP detyrohet që brenda 3 muajve të bëjë regjistrimin fillestar.

Një tjetër risi e ligjit është krijimi i sistemit kombëtar të klasifikimit sipas kategorive përkatëse të strukturave akomoduese. Kushtet, kriteret, afatet si dhe procedura për klasifikimin e strukturave akomoduese do të përcaktohen me rregulloren përkatëse, që miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin. Brenda 18 muajsh, nga hyrja në fuqi e ligjit, të gjitha strukturat akomoduese ekzistuese do të klasifikohen. Pas kësaj periudhe, asnjë strukturë akomoduese nuk do të lejohet të ushtrojë veprimtarinë pa marrë certifikatën e klasifikimit.
 
Cili është qëndrimi i opozitës për “Turizmin”? 
Në seancën e fundit të Kuvendit, kur edhe u votua ligji për “Turizmin”, opozita akuzoi mazhorancën se nuk ka një strategji për turizmin dhe se drafti që mbërriti në Kuvend, është bërë për interesa personale. Sipas opozitës, ligji merr kompetencat e pushtetarëve lokalë si dhe shkelmon të drejtat e pronarëve. Gjithashtu, opozita ka denoncuar se ky ligj është hartuar për interesat e një grupi investitorësh pranë kryeministrit, të cilët kanë si synim të uzurpojnë bregdetin dhe pronën private.
 
Cili do të jetë verdikti i Presidentit për Arsimin e Lartë? 
Ligji për “Arsimin e Lartë” u miratua në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës, në orët e para të mëngjesit të 22 Korrikut. Dhe Afati ligjor i Presidentit për tu shprehur për dekretin është 21 ditë. Çka do të thotë se jemi në limitet e afateve që kreu i shtetit të shprehet ose ta kalojë në heshtje ligjin. Fakti që Nishani ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për “Turizmin”, duke gjetur 3 shkelje kushtetuese në të, pavarësisht se kishte ende kohë ligjore për këtë ligj, do të thotë se ka preferuar të shfrytëzojë të gjithë kohën e mjaftueshme për të vendosur për “Arsimin”.

Presidenti u bë pjesë e debatit për “Arsimin”, pas insistimit të akademikëve, pedagogëve dhe studentëve, të cilët i kërkuan Nishanit të shprehej menjëherë kundër nismës së mazhorancës. Për këtë qëllim i shërbeu edhe një takim i Presidentit Nishani me grupet e interesit, pedagogë dhe studentë, ku dëgjoi prej tyre shqetësimet dhe pretendimet se ligji shkel disa herë Kushtetutën.

Në takimin konsultues me akademikë, pedagogë dhe dekanë të universiteteve shtetërore në vend, i cili zgjati për disa orë, Presidenti Nishani u shpreh se do të respektojë vetëm Kushtetutën e vendit, duke qëndruar jashtë çdo debati politik. Takim ky që u pasua nga ai i Presidentit Nishani me ministren e Arsimit, Nikolla, e cila u shpreh se ligji është konform Kushtetutës dhe se Presidenti nuk ka arsye për të mos e dekretuar.    
 
Pavarësisht qëndrimit të Presidentit, çfarë hallkash do të ndjekin grupet e interesit dhe opozita kundër ligjit të “Arsimit”?
Ankimim në Gjykatën Kushtetuese. Si dhe, paralelisht me ndjekjen e hallkave ligjore, grupet e interesit, akademikë, pedagogë dhe përfaqësuesit e opozitës kanë paralajmëruar protesta gjatë shtatorit, nëse ligjit nuk i bëhen ndryshimet e propozuara nga bota akademike. Sipas tyre, ligji bën që Universitetet, nga institucione humaniste e iluministe ato shndërrohen në makiaveliste dhe më synime të tjetërsuara përkundrejt dijes.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Zyrtarë të Ambasadës së SHBA takohen me kreun e AMP, Sulejmani: Mirënjohje për mbështetjen e dhënë

Zyrtarë të Ambasadës së SHBA takohen me kreun e AMP, Sulejmani: Mirënjohje për mbështetjen e dhënë