Nishani letër Metës: Buxheti 2015
ulje me 3.4% fondit për Presidentin

Nishani letër Metës: Buxheti 2015<br />ulje me 3.4% fondit për Presidentin
TIRANE - Presidenti i Republikës Bujar Nishani, përmes një letre të dërguar Kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe krerëve të grupeve parlamentare të PS, LSI dhe PD-së, ku shpreh shqetësimet e tij, lidhur me buxhetin e vitit 2015, që po diskutohet në seancën parlamentare.

Në letrën e tij, Presidenti Nishani shpreh shqetësimin se në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar fondi me një ulje prej 3.4%, krahasuar me vitin aktual për Institucionin e Presidentit. Teksa shpreh shqetësimin se pse nuk është ftuar të marrë pjesë në seancat dëgjimore të komisioneve parlamentare kur është diskutuar buxheti i vitit 2015, Nishani shprehet se edhe sa i përket shpenzimeve të tjera operative është parashikuar një ulje prej rreth 8.5% krahasuar me vitin aktual.

Në këtë kontekst, Presidenti Nishani, shprehet se ky buxhet nuk i lejon përmbushjen e misionit kushtetues Kreut të Shtetit Shqiptar, pasi për vitin e ardhshëm janë parashikuar një sërë aktivitetesh me rëndësi kombëtare, si Samiti i Kryetarëve të Shteteve

Me rastin e marrjes së Presidencës Shqiptare të SEECP. Një tjetër aktivitet i rëndësishëm siç thekson Nishani për vitin e ardhshëm është edhe 25 vjetori i rënies së komunizmit në vendin tonë ku është parashikuar organizimi i ceremonive me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara ndërkombëtare.

Në përmbyllje të të gjitha këtyre aspekteve, Nishani konkludon se buxheti i parashikuar për institucionin që ai drjeton është i pamjaftueshëm për të përmbushur të gjitha detyrimet e tij kushtetuese.

Më poshtë letra e plotë e Presidentit të Republikës Bujar Nishani:

Në kuadër të diskutimeve për miratimin e Projekt Buxhetit për vitin 2015, paraqitur nga Këshilli i Ministrave për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë, fillimisht shpreh keqardhjen që Institucioni i Presidentit të Republikës nuk u ftua në seancë dëgjimore nga Komisionet e përhershme për t’u dëgjuar mbi kërkesat specifike që i janë paraqitur Ministrisë së Financave gjatë fazës së hartimit të projektbuxhetit 2015.

Në pamundësi për t’u dëgjuar, edhe pse zyrtarisht  kemi kërkuar të dëgjohemi nga Komisioni i cili mbulon veprimtarinë e institucioneve të pavarura, jam i detyruar t’ju paraqes disa problematika që implikojnë veprimtarinë e Institucionit të Presidentit të Republikës përgjatë vitit 2015, ndërkohë që projektbuxheti i vitit 2015 po diskutohet në seancë plenare.

Për vitin 2014, Institucionit të Presidentit të Republikës, megjithëse me ulje te theksuar krahasuar me dhjetë vitet e fundit, iu akorduan 183.2 milion lekë në total, ndërkohë që për vitin 2015 janë parashikuar 177 milion lekë,  me një diferencë negative prej rreth 3.4 % më pak. Po kështu për zërin shpenzime të tjera operative në buxhetin e vitit 2015 është parashikuar ulje e këtij zëri me 8.5% më pak.

Vë në vëmendjen tuaj se përgjatë vitit 2014 janë kryer dhe shpenzime të paparashikuara, siç ishte rasti i vizitës së Papa Franceskut në vendin tonë, ku kemi kërkuar në Ministrinë e Financës  fonde shtesë për shpenzime të kryera dhe të faturuara, për të cilat jemi akoma në pritje.

Siç jeni në dijeni, për vetë natyrën specifike të Institucionit, për përmbushjen e funksioneve kushtetuese të Presidentit të Republikës si në veprimtarinë brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, dalin vazhdimisht aktivitete shumë të rëndësishme për t’u kryer.

Kështu, në kuadër të Presidencës Shqiptare të SEECP, në përmbyllje të Presidencës, në mes të vitit 2015, do të organizohet Samiti i Kryetarëve të Shteteve të këtij organizmi ku roli i Institucionit të Presidentit të Republikës në këtë organizim është primar, por që buxheti i planifikuar nuk e mundëson organizimin serioz shtetëror.

Gjithashtu, viti 2015 përkon me 25 vjetorin e rënies së komunizmit në vendin tonë, ku Institucioni i Presidentit të Republikës ka të parashikuar organizimin e ceremonive me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara ndërkombëtare dhe buxheti i alokuar për këtë vit nuk e bën të mundur realizimin e të tilla aktiviteteve. 

Duke shpresuar në pranimin e shqetësimeve të sipërpërmendura, dhe reflektimin përkatës, kërkojmë të vendoset buxheti i Institucionit të Presidentit të Republikës në parametrat e funksionimit normal të këtij Institucioni dhe të përmbushjes së misionit kushtetues të Kreut të Shtetit Shqiptar.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën