Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani u ka dërguar një mesazh të gjithë krerëve të shteteve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nëpërmjet të cilit lobohet që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat bazuar në meritën dhe arritjet e saj.
Në mesazhin drejtuar Presidentëve të: Gjermanisë Joachim Gauck, Francës François Hollande, Italisë Giorgio Napolitano, Greqisë Karolos Papulias, Letonisë Andris Berzins, Kroacisë Ivo Josipović, Austrisë Heinz Fischer, Polonisë Bronislaw Komorowski, Hungarisë János Áder, Rumanisë Traian Basescu, Sllovakisë Ivan Gašparovič, Çekisë Miloš Zeman, Estonisë Toomas Hendrik Ilves, Irlandës Michael D. Higgins, Maltës Marie Louise Coleiro Preca, Qipros Nicos Anastasiades, Finlandës Sauli Niinistö, Portugalisë Anibal Cavaco Silva, Bullgari Rosen Plevneliev, Slloveni Borut Pahor, Lituanisë Dalia Grybauskaitė, si dhe Mbretëreshës Elisabeth II të Mbretërisë së Bashkuar, Mbretit Willem-Alexander të Holandës, Mbretit Phillippe të Belgjikës, Mbretëreshës Margrethe II të Danimarkës, Mbretit Carl XVI Gustaf të Suedisë, Mbretit të Spanjës Juan Carlos I dhe Dukës së Madh Henri të Luksemburgut, Kreu i Shtetit shqiptar thekson:
“Me shprehjen e nderimit të madh për Ju dhe vendin Tuaj, si dhe për mbështetjen bujare dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, kam kënaqësinë t’ju informoj se vendi dhe populli im presin me emocion dhe me besim vendimin e Këshillit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë këtë muaj Statusin e vendit kandidat për në BE.
Aspirata evropiane ka qenë dhe mbetet aspirata më përbashkuese e popullit shqiptar, shumë herë i goditur nga fati i keq i pushtimeve dhe diktaturave nga më të egrat, por që mbijetoi dhe nisi njëzet e katër vjet më parë një histori të re, që është ajo e demokracisë dhe integrimit në familjen e madhe evropiane, të cilën e vazhdon dhe e çon përpara çdo ditë me vendosmëri të palëkundur.
Shqipëria prej disa vitesh është në pritje të marrjes së Statusit të Vendit Kandidat nga vendet anëtare të BE-së dhe rekomandimet pozitive të Komisionit Evropian përbëjnë një konfirmim autoritar se vendi im e meriton plotësisht avancimin e mëtejshëm drejt familjes evropiane.
Me kënaqësi të veçantë kemi vërejtur se në raportin që shoqëron rekomandimin e përsëritur pozitiv të muajit qershor, Komisioni konstaton se Shqipëria ka përmbushur bindshëm kushtet e kërkuara, dhe meriton qartësisht njohje të mëtejshme nga Bashkimi Evropian.
Është kjo arsyeja pse shqiptarët dhe unë, si President i Republikës së Shqipërisë, jemi optimistë dhe plot besim se Shqipëria e meriton marrjen e Statusit. Vendimmarrja e 23 qershorit lidhur me këtë çështje do jetë një mesazh i qartë jo vetëm për të vazhduar me frymëzim të ri dhe energji të reja në rrugën e reformave më të avancuara, por mbi të gjitha për qytetarët e vendit tim, për të rinjtë dhe të rejat të cilët përfaqësojnë shumicën e popullsisë dhe përbëjnë të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Duke dëshiruar dhe mirëpritur mbështetjen tuaj dhe të vendit tuaj për t’i dhënë Shqipërisë Statusin e Vendit Kandidat në BE, më lejoni të nënvizoj se marrja e Statusit të Vendit Kandidat nga Shqipëria do të përbënte një mesazh të rëndësishëm politik për vendet e Ballkanit Perëndimor, gjithashtu një njohje të rolit konstruktiv historik të Shqipërisë në rajon dhe një inkurajim dhe përgjegjësi edhe më të lartë për institucionet shtetërore të vendit tim për të përparuar më tej drejt Evropës së bashkuar.
Gjej rastin t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për ju dhe familjen Tuaj dhe t’ju shpreh sigurimet e konsideratës time më të lartë!