Nishani lobon për statusin te krerët
e vendeve të BE-së: E meritojmë

Nishani lobon për statusin te krerët<br />e vendeve të BE-së: E meritojmë
TIRANE- Pak ditë para dhënies së vendimit për Shqipërinë për statusin e vendit kandidat, Presidenti Nishani ka lobuar pranë krerëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Kreu i Shtetit shqiptar u ka dërguar një mesazh të gjithë krerëve të shteteve të vendeve anëtare të BE-së, nëpërmjet të cilit lobohet që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat bazuar në meritën dhe arritjet e saj.
 
Në mesazhin drejtuar Presidentëve të vendeve të Bashkimit Europian, Nishani thekson se “Me shprehjen e nderimit të madh për Ju dhe vendin Tuaj, si dhe për mbështetjen bujare dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, kam kënaqësinë t’ju informoj se vendi dhe populli im presin me emocion dhe me besim vendimin e Këshillit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë këtë muaj Statusin e vendit kandidat për në BE.
 
Aspirata evropiane ka qenë dhe mbetet aspirata më përbashkuese e popullit shqiptar, shumë herë i goditur nga fati i keq i pushtimeve dhe diktaturave nga më të egrat, por që mbijetoi dhe nisi njëzet e katër vjet më parë një histori të re, që është ajo e demokracisë dhe integrimit në familjen e madhe evropiane, të cilën e vazhdon dhe e çon përpara çdo ditë me vendosmëri të palëkundur”.
 
Duke theksuar pritshmëritë e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, Presidenti Nishani vlerëson rekomandimet pozitive të KE, duke i cilësuar ato “një konfirmim autoritar se vendi im e meriton plotësisht avancimin e mëtejshëm drejt familjes evropiane”.
 
Presidenti Nishani ndalet edhe tek raporti që shoqëron rekomandimin pozitiv të KE, duke u shprehur se në të vlerësohen kushtet e përmbushura nga vendi ynë.
 
“Është kjo arsyeja pse shqiptarët dhe unë, si President i Republikës së Shqipërisë, jemi optimistë dhe plot besim se Shqipëria e meriton marrjen e Statusit. Vendimmarrja e 23 qershorit lidhur me këtë çështje do jetë një mesazh i qartë jo vetëm për të vazhduar me frymëzim të ri dhe energji të reja në rrugën e reformave më të avancuara, por mbi të gjitha për qytetarët e vendit tim, për të rinjtë dhe të rejat të cilët përfaqësojnë shumicën e popullsisë dhe përbëjnë të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
 
Duke dëshiruar dhe mirëpritur mbështetjen tuaj dhe të vendit tuaj për t’i dhënë Shqipërisë Statusin e Vendit Kandidat në BE, më lejoni të nënvizoj se marrja e Statusit të Vendit Kandidat nga Shqipëria do të përbënte një mesazh të rëndësishëm politik për vendet e Ballkanit Perëndimor, gjithashtu një njohje të rolit konstruktiv historik të Shqipërisë në rajon dhe një inkurajim dhe përgjegjësi edhe më të lartë për institucionet shtetërore të vendit tim për të përparuar më tej drejt Evropës së bashkuar”, shprehet Presidenti Nishani.
 
Mesazhi i Kreut të Shtetit shqiptar iu drejtua Presidentëve të: Gjermanisë Joachim Gauck, Francës François Hollande, Italisë Giorgio Napolitano, Greqisë Karolos Papulias, Letonisë Andris Berzins, Kroacisë Ivo Josipović, Austrisë Heinz Fischer, Polonisë Bronislaë Komoroëski, Hungarisë János Áder, Rumanisë Traian Basescu, Sllovakisë Ivan Gašparovič, Çekisë Miloš Zeman, Estonisë Toomas Hendrik Ilves, Irlandës Michael D. Higgins, Maltës Marie Louise Coleiro Preca, Qipros Nicos Anastasiades, Finlandës Sauli Niinistö, Portugalisë Anibal Cavaco Silva, Bullgari Rosen Plevneliev, Slloveni Borut Pahor, Lituanisë Dalia Grybauskaitė, si dhe Mbretëreshës Elisabeth II të Mbretërisë së Bashkuar, Mbretit Willem-Alexander të Holandës, Mbretit Phillippe të Belgjikës, Mbretëreshës Margrethe II të Danimarkës, Mbretit Carl XVI Gustaf të Suedisë, Mbretit të Spanjës Juan Carlos I dhe Dukës së Madh Henri të Luksemburgut.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria dhe opozita të bëjnë pakt për kërkesat e BE, jo pazar për lista apo amnisti penale

Spahiu: Qeveria dhe opozita të bëjnë pakt për kërkesat e BE, jo pazar për lista apo amnisti penale