Nishani në Berlin: Krenar për rolin
konstruktiv të Shqipërisë në rajon

Nishani në Berlin: Krenar për rolin<br />konstruktiv të Shqipërisë në rajon
Presidenti, Bujar Nishani ka marrë pjesë në mbrëmjen e Takimit të 20-të Ndërkombëtar të Berlinit, ku ishte i Ftuar Nderi dhe folës kryesor. Mesazhi i Nishanit u fokusua në nevojën e ruajtjes së vlerave të përbashkëta morale e shoqërore si dhe në promovimin e harmonisë fetare në Shqipëri dhe rolit e kontributit të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
 
Nishani gjatë fjalës së tij u ndal edhe tek kërcënimi nga ISIS, ku nënvizoi se vendi ynë do të japë kontributin e tij. “Shqipëria po jep kontributin e saj me trupa dhe ekspertë ushtarakë e civilë në misione paqeruajtëse në vende të ndryshme të Botës, por edhe në luftën kundra të ashtuquajturit Kalifatit të Sirisë dhe Irakut, ISIS/ISIL. Dhe sigurisht që do të vijojë ta bëjë një gjë të tillë sa herë të nevojitet”, tha presidenti.
 
Duke folur për rolin e shqiptarëve në rajon, Nishani theksoi se Ballkani ka hyrë në një fazë të re tashme pasi ka lënë pas konfliktet. “Me ndjenjë krenarie u referohem shpesh partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët e vlerësojnë lart rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon në dobi të paqes, stabilitetit dhe begatisë të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sot rajoni i Ballkanit Perëndimor e ka lënë pas periudhën e konflikteve etnike dhe fetare dhe ka hyrë në një fazë të re mirëkuptimi dhe bashkëpunimit”, tha Nishani.
 
Por,  nga ana tjetër presidenti shtoi se, me gjithë progresin e bërë, ngjarjet e Kumanovës pak javë më parë në Maqedoni dëshmuan edhe njëherë për brishtësinë e stabilitetit dhe sigurisë. “Jemi shumë të interesuar për zbardhjen sa më parë dhe në mënyrë të besueshme të këtyre ngjarjeve, si dhe për mos shndërrimin e episodeve të tilla të paqarta në burim konflikti të paqenë ndëretnik”, u shpreh ai.
 
Takimi i 20-të Ndërkombëtar i Berlinit organizohet nën kujdesin e Presidentit dhe një grupi deputetësh të Bundestagut gjerman si dhe Fondacionit gjerman për Vlerat Themelore dhe Mirëkuptimin mes Kombeve. Të pranishëm ishin deputetë gjermanë dhe politikanë nga 50 vende të ndryshme të botës, përfshirë dhe Shqipërinë dhe vende të Ballkanit Perëndimor.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mund të ketë disa keqkuptime me partnerin...çfarë thonë yjet për ju sot

Mund të ketë disa keqkuptime me partnerin...çfarë thonë yjet për ju sot