Presidenti Bujar Nishani nga Doha, Katar ka theksuar edhe njëhërë tolerancën fetare që ekziston në Shqipëri. Në Forumin ‘’Shtetet e Bashkuara të Amerikës Bota Islame’’, Nishani ka theksuar se shqiptarët jetojnë në një shoqëri shumëfetare me shumicë myslimane, ku anëtarët e të gjitha besimeve bashkëjetojnë për shekuj në paqe dhe harmoni të plotë. “Vargu i Pashko Vasës, njërit prej ideologëve dhe poetëve më në zë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, “feja e shqiptarit është shqiptaria”, u bë moto e luftës së popullit shqiptar për liri dhe rizgjim kombëtar. Ai ishte një manifest ideologjik i kësaj lëvizjeje që çoi në pavarësinë e vendit dhe thirrje për bashkim në luftën kundër përpjekjeve për të përçarë, sipas linjave fetare, një komb që përpiqej të rilindte dhe, që, për traditë, kishte bashkëjetesën fetare. Modeli shqiptar i tolerancës, bashkëjetesës dhe harmonisë fetare është, gjithashtu, një kolonë solide në ndërtesën e shtetit shqiptar”, tha presidenti Nishani.