KATAR- Presidenti i Republikës Bujar Nishani, në fjalën e tij në sesionin e hapjes së forumit “SHBA-Bota Islame” në Katar, u shpreh se është krenar që Shqipëria gëzon një harmoni fetare, ku për shekuj me radhë kanë bashkëjetuar të tre anëtarët e feve të mëdha të perëndimit.
 
“Ambasadori i SHBA në Shqipëri gjatë periudhës 1930-1933 Herman Bernstein shkruante në raportimet e tij për Washingtonin se: “Nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi ndaj hebrenjve në Shqipëri, sepse ajo tokë është njëra prej atyre vendeve të rralla në Evropën e sotme ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekziston, edhe pse vetë shqiptarët u përkasin tre feve. Shqiptarët kanë treguar kujdes që të edukojnë të rinjtë, për të respektuar kufijtë dhe lirinë e fesë së tjetrit”, tha Presidenti Nishani.
 
Nishani ndali dhe në raportin unik mes Shqipërisë dhe shteteve të bashkuara, ku ai citoi një diplomat amerikan, i cili kishte vënë në dukje që në vitet 20’ lidhjen e fortë të shqiptarëve me shtetin Amerikan.
 
“Charles Telford Erickson, një misionar amerikan i shquar, që jetoi në Shqipëri në periudhën kohore 1908-1939, është shprehur më 1922 se: “Amerika është për ta po aq e dashur sa edhe vetë mëmëdheu i tyre dhe asnjë vend tjetër nuk ka aq pushtet sa ajo mbi imagjinatën dhe dashurinë e tyre.”.
 
Kjo ndjenjë ishte e natyrshme pas vetos që Presidenti amerikan Thomas Woodrow Wilson vuri në Konferencën e Paqes në Paris, duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë.
Shtetet e Bashkuara na u gjendën gjithmonë pranë, në kalimin e vështirë, por të domosdoshëm të vendit nga sistemi njëpartiak në atë shumëpartiak, nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut të lirë, nga sigurimi kombëtar me bunkerë në një regjim sigurimi ndërkombëtar, nga shteti i dhunës në sundimin e ligjit, nga vendi më i izoluar në vendin anëtar të NATO-s dhe aspirant për në BE”, tha Presidenti Nishani.
 
Gjatë vizitës së tij në Katar Nishani shoqërohej nga një delegacion vendas dhe zonja e parë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)