Nishani nderon Theodore Orlin me
titullin “Për merita të veçanta civile”

Nishani nderon Theodore Orlin me<br />titullin “Për merita të veçanta civile”
Presidenti Nishani vlerëson veprimtarinë e shquar ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Theodore Orlin, me Titullin “Për merita të veçanta civile”

Në ceremoni ishin të pranishëm mes të tjerash edhe Ambasadori amerikan, Donald Lu, si dhe juristë e veprimtarë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vendin tonë.
 
Fjalimi i Z. Nishani:

“I nderuar zoti Orlin,

I nderuar Ambasador Lu,

Të nderuar zonja dhe zotërinj, aktivistë të të drejtave të njeriut në Shqipëri, miq dhe të ftuar!

Kam pasur rastin t’u jap dekorata individëve të shquar në fusha të ndryshme të Dijes, Artit, Kulturës, Sportit, dhe në një numër veprimtarish të tjera. Të gjithë këta kanë qenë individë me talent dhe me përkushtim dhe e kanë kryer punën në mënyrë të vlefshme dhe kanë zgjidhur probleme të vështira duke punuar pa përtuar dhe pa u lodhur në një shtrirje kohore dhe hapësinore mbresëlënëse.

Por jo si Zoti Orlin të cilin kam nderin dhe kënaqësinë sot ta dekoroj.

Natyra e kontributit, posaçërisht kohëzgjatja disadhjetravjeçare dhe shtrirja hapësinore e veprimtarisë së zotit Orlin në pothuaj krejt planetin, janë aq madhështore, janë aq mahnitëse, sa duken të pamundura për një individ sado të talentuar, sado energjik, sado të përkushtuar ai apo ajo të jetë, pra duket një veprimtari gati mbinjerëzore.

Megjithatë zoti Orlin dhe kontributet e tij të shquara dhe të gjithënjohura në fushën e të Drejtave të Njeriut, janë një realitet i prekshëm kudo ku zoti Orlin ka punuar, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

Me një bilanc pune të pakrahasueshëm në problematikat më të ndjeshme, më të vlefshme, më të dobishme, sigurisht dhe më të vështirat, me të cilat sot me tepër se kurrë mbarë njerëzimi ndeshet dhe i duhet t'i zgjidhi, dhe them pa asnjë mëdyshje se në fushën e të Drejtave të Njeriut zoti Orlin është një Hero.

E pamundur të renditen në pak minuta të gjitha meritat e spikatura në veprimtarinë e pashtershme të zotit Orlin.

Ç'ka mes atyre meritave bie më tepër në sy është se jetën dhe punën, lodhjet dhe vështirësitë, zoti Orlin ia ka kushtuar, jo vendit të vet, e aq më pak vetes së vet, por të tjerëve, mbarë njerëzimit, veçanërisht mëkëmbjes së demokracive të reja. Në këtë rol sa human, delikat dhe të vështirë për t’u realizuar, zor se ka një të dytë si zoti Orlin.

Nga volumi i pamatshëm i punës së tij delikate dhe të vështirë, duket sikur gjatë gjithë jetës zoti Orlin nuk ka pushuar asnjë çast së punuari, aq shumë punë ka bërë dhe aq mbresëlënëse. Është aq i vërtetë ky konstatim, sa po të mos ishte fakt dhe i provuar nga shumë miq dhe bashkëpunëtorë të tij, do të dukej si i stisur. Duket sikur zotin Orlin për të kryer gjithë ato punë në vendet ku ka qenë nuk e ka shpënë vullneti i vet, dhe as një administratë, por vetë Zoti, si Ambasadorin e Tij mbi tokë për t'iu kujtuar dhe mësuar njerëzve se nuk është Liri ajo të cilën disa e gëzojnë e disa jo, se skllav nuk lind por bëhesh, se Liria absolute nuk ekziston.

Frytet e Lirisë mund të shijohen duke respektuar disa rregulla, zbatimi i atyre rregullave vetëm i kollajtë nuk është, Liria pa rregulla është kaos. Liria presupozon pashmangmërisht edhe detyrime ndaj saj. Liria e rrejshme edhe ajo ekziston, dhe duhet refuzuar. Pa folur këtu për karakterin ‘shëtitës’ të së drejtës kur ai që të drejtën e ka dhe me të drejtën e tepron ose abuzon, të drejtën e humbet, e drejta ‘hidhet’ në anën tjetër, si dhe rastet fatkeqe vërtet të rralla, por jo inekzistente kur e drejta, duke mos u kuptuar, refuzohet.

Secili në mënyrën e vet, lufton për të mbrojtur të drejtat e veta.

Një numër njerëzish punojnë e luftojnë për të mbrojtur sa munden jo vetëm të drejtat e veta, por dhe të drejtat e të tjerëve.

Fort të rrallë janë ata si zoti Orlin që jetën e tyre ia kushtojnë të tërën respektimit të të drejtave të njeriut.

Luftëtar i radhës së parë në betejën më të vështirë që zhvillohet sot në botë, atë të respektimit të të Drejtave të Njeriut, që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e Njerëzimit, pra për të gjitha këto, Prof. Theodore S. Orlin, dekoratën që po i japim sot, plotësisht e meriton. Ju faleminderit!”
bujar nishani
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Studimi: Më shumë republikanë se demokratë e shohin Izraelin si aleat të Shteteve të Bashkuara

Studimi: Më shumë republikanë se demokratë e shohin Izraelin si aleat të Shteteve të Bashkuara