Presidenti Nishani zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin Papoulias
Presidenti Nishani zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Greqisë, Papoulias
TIRANË, 30 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ -Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës Helene, zotin Karolos Papoulias, vendi i të cilit ushtron Presidencën aktuale të Bashkimit Europian.
Presidenti Nishani falenderoi Presidentin Papoulias për rolin që vendi i tij, fqinj i Shqipërisë, dhe në ushtrim të Presidencës së radhës së BE, ka luajtur në avokimin e zëshëm për dhënien e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE.
Presidenti theksoi se ky vendim i merituar dhe shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, është vlerësim për arritjet e deritanishme, por edhe inkurajim i fortë për të vazhduar përpara në rrugën e reformave të mëtejshme.
Presidenti Papoulias shprehu kënaqësinë, që premtimi i bërë gjatë vizitës së fundvitit të kaluar në Tiranë, për një angazhim të fortë mbështetës të qeverisë gjatë Presidencës greke të BE, u realizua plotësisht. Ai shprehu kënaqësinë që Presidenca greke kalon tek një tjetër fqinj i Shqipërisë, Italia, me të cilën është bashkërenduar mbështetja e deritanishme por dhe në vazhdimësi për Shqipërinë. Presidenti Papoulias shprehu gjithashtu shpresën se çështjet dypalëshe do të vijojnë të trajtohen, përfshirë marrëveshjen për delimitimin e shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare.
Presidenti Nishani duke shprehur besimin se mes dy vendeve do të zgjidhen të gjitha çështjet, përfshirë delimitimin e zonave detare, në respekt dhe zbatim të standardeve europiane dhe ndërkombëtare, vlerësoi edhe një herë Presidentin Papoulias si një mik të veçantë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. /a.ke/