TIRANË, 20 Qershor /ATSH- I. Vata/-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti të premten në një takim, Grupin e parë Parlamentar të Miqësisë në Asamblenë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit, kryesuar nga zoti Saud Al Nashmi Huraiji, i cili po zhvillon një vizitë në Tiranë.
Presidenti Nishani, pasi vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kuvajtit, si edhe traditën e ngritur tashmë në zhvillimin e një dialogu politik intensiv në nivele të ndryshme, tha se grupet parlamentare të miqësisë janë institucione shumë të rëndësishme për nxitjen e bashkëpunimit, duke shtuar se duhen më shumë shkëmbime kulturore, me qëllim që popujt tanë të njohin më mirë njëri-tjetrin.
Po ashtu, Nishani falënderoi Fondin Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik për të gjitha financimet që i ka bërë projekteve madhore në Republikën e Shqipërisë, si dhe shprehu veçanërisht mirënjohjen për donacionet personale të Emirit të Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri dhe për mbështetjen qe shteti i Kuvajtit ka dhënë për Kosovën, të cilën e konsideroi si kontribut edhe për paqen e stabilitetin në rajon, ndërsa i përcolli Lartësisë së tij, Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, përshëndetjet më të ngrohta e miqësore, me dëshirën për t'u takuar së afërmi.
Presidenti Nishanim nënvizoi se biznesi kuvajtian është i mirëpritur në Shqipëri, ku mundësitë për investime janë të shumta dhe se Shqipëria ofron potenciale të mëdha për të investuar në fushën e infrastrukturës, të energjisë, të burimeve minerale, të turizmit, ndërsa shtoi se mbetemi të interesuar që Kuvajti të zgjedhë Shqipërinë si partnerin e saj prioritar ekonomik në Ballkan, si për numrin e projekteve të financuara nga Fondi Kuvajtian për Zhvillim, ashtu edhe sa i përket investimeve të drejtpërdrejta në sektorët e rëndësishëm të ekonomisë.
Ndërsa,Saud Al Nashmi Huraiji dhe anëtarët e tjerë të delegacionit, që e morën fjalën gjatë takimit, shprehën mirënjohjen e thellë për mikpritjen e ofruar në Shqipëri dhe e garantuan Presidentin se kjo vizitë dhe Grupi i Miqësisë, përmes aktivitetit të tij, do të nxisin shkëmbimin e vizitave të të gjitha niveleve, forcimin dhe konkretizimin e marrëdhënieve mes dy popujve dhe vendeve tona dhe do të hapin dyert për investitorët kuvajtianë në Shqipëri, duke vënë në dukje, në mënyrë të përsëritur se populli i Kuvajtit nuk e harron kurrë qëndrimin miqësor të Shqipërisë ndaj pushtimit nga Iraku./a.g/











