Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjate takimit me një delegacion të Kongresit Euro-Aziatik Hebre të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Michael Chlenov Foto Agim Dobi
Tiranë, 19 Qershor/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti në takim një delegacion të Kongresit Euro-Aziatik Hebre, të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Michael Chlenov.
Sipas zyrës së shtypit të Presidentit, Chlenov falënderoi Presidentin Nishani për pritjen dhe theksoi se misioni i kësaj vizite është hapja e dyerve për komunitetin hebre, duke vlerësuar veçanërisht mbështetjen mbresëlënëse që shqiptarët i ofruan komunitetit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore.
"Ky gjest, sa human aq edhe historik, duhet treguar me krenari dhe të shënohet në memorien e të gjithë hebrenjve kudo ndodhen", theksoi Chlenov duke shtuar se kjo është një bazë e shkëlqyer për promovimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumëdimensionale mes dy popujve tanë.
Presidenti Nishani vlerësoi këtë vizitë si dhe faktin që historia e mikpritjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri ka gjetur jehonë e mirënjohje të gjerë, duke afruar më shumë marrëdhëniet mes dy popujve, por edhe mes Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit.
Duke shprehur vlerësimin për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve, konstatuar edhe gjatë vizitës së tij në Izrael, Kryetari i Shtetit shqiptar vërejti se ka ende hapësirë për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve në të gjitha fushat. Presidenti Nishani shtoi se prezenca aktive e Ambasadës së Izraelit në Tiranë, por edhe Kongresi Euro-Aziatik Hebre, padyshim do të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim./k.s//a.ke/