Nishani pritje për gazetarët: Pa
median demokracia e pamundu

Nishani pritje për gazetarët: Pa<br />median demokracia e pamundu
TIRANË - Një takim kushtuar respektit dhe mirënjohjes e ka vlerësuar presidenti Bujar Nishani pritjen e fillimvitit për gazetarët dhe përfaqësuesit e medieve në Pallatin e Brigadave. Kreu i shtetit tha se pa median demokracia është e pamundur.

“Ju falënderoj për praninë në këtë takim kushtuar respektit dhe mirënjohjes ndaj jush dhe punës tuaj! Në cilësinë e Kreut të Shtetit kam nderin dhe privilegjin t’ju përgëzoj dhe inkurajoj për punën sa të vështirë dhe të lavdërueshme që bëni çdo ditë duke pasqyruar me profesionalizëm, përgjegjësi dhe objektivitet, realitetin brenda dhe jashtë Shqipërisë. Duke nisur me vrasjet e kobshme të tetë gazetarëve të ‘Charlie Hebdo’ pikërisht një vit më parë, e duke vazhduar me ato të dhjetëra kolegëve tuaj të masakruar në Siri, Irak, etj., viti që shkoi na la pas një bilanc tragjik për gazetarët, gazetarinë e lirë dhe mediat në përgjithësi, çka tregon se edhe në kohët moderne ka barbarizëm, ka njerëz të cilët për qëllime kriminale të vërtetën dhe raportimin realist të saj e refuzojnë, duke na bërë të ditur faktin se terrorizmi, krimi i organizuar, korrupsioni, nuk njohin kufij, as kohorë, as hapësinorë. Ju shpreh juve dhe kolegëve tuaj jashtë kësaj salle, respektin maksimal që ushqej për institucionet e medias. Së pari për “argatët” e saj, ata që mbajnë barrën më të madhe, kronistët, kameramanët, fotoreporterët, gazetarët e terrenit. Pastaj gjithë të tjerëve. Pa ju, demokracia nuk është e mangët apo e papërsosur, por e pamundur", - tha Nishani.

Mes vështirësive e shpesh herë të metave të profesionit, Nishani vlerësoi rolin e medias në “nxitjen e debatit në politikë, në shkencë e kulturë”.

“Përmes vështirësish dhe sfidash, të metash dhe meritash, suksesesh dhe dështimesh, duke masivizuar informacionin, duke nxitur debatin në politikë, ekonomi, shkencë, art, kulturë, interpretuese dinjitoze dhe serioze e problemeve respektive, media shqiptare është tashmë një agregat i kolauduar, që funksionon, që ka produktin e vet, bilancin e vet, dhe sigurisht historinë e vet, me të cilën mund të krenohet. Janë dashur mjete, që jo gjithmonë i keni pasur. Është dashur përkrahje, që edhe ju ka munguar. Është nevojitur mirëkuptim, që jo gjithmonë ka qenë i mjaftueshëm. Nuk ka qenë pra e lehtë për të arritur këtë fazë zhvillimi, ku konkurrenca funksionon, cilësia është rritur, përgjegjësia është shtuar deri në atë shkallë të lavdërueshme kur tashmë përplasjen e një biçiklete me bordurën e një trotuari askush prej jush nuk e paraqet si fillimin e luftës së tretë botërore”, theksoi Presidenti.

Në përfundim, kreu i shtetit tha se nuk ka qenë e lehtë për median në Shqipëri për të arritur në këtë fazë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit