TIRANË - Presidenti Bujar Nishani tha në emisionin “Opinion” se dekretimi i qeverisë së majtë “Rama” do të bëhet brenda ditës së paraqitjes së propozimit nga koalicioni që fitoi zgjedhjet dhe pa humbur kohë. “Kam kërkuar mbledhjen e parlamentit në 9 shtator. Në 7 shtator ishte dita e fundit e parlamentit të ri. Menjëherë pas kësaj date pres që koalicioni fitues të sjellë propozimin dhe me të ardhur propozimi do të kryej dekretimin, nuk do të pres 7 ditë siç ma ofron kushtetuta. Edhe për ministrat nuk do krijoj pengesa artificiale për dekretimin”, deklaroi Nishani.

Gjatë intervistës së tij, Presidenti ka deklaruar se, për ministrat do të pyesë institucionet që verifikojë integritetin dhe ligjshmërinë e propozimeve. “Pa diskutim. Jam njohur përmes mediave, sepse kanë qenë deklarata zyrtare të përfaqësuesve të maxhorancës së re qeverisëse për emrat, por natyrisht Presidenti i Republikës duhet të reflektojë tek opinioni publik një qëndrim strikt ndaj procedurës dhe ligjit. Kjo nuk do të thotë që ne mund të bëjmë të paqenin; gjithsesi, janë institucionet ato që e ndihmojnë Presidentin e Republikës. Janë institucionet e shtetit shqiptar ato që verifikojnë integritetin, ligjshmërinë e propozimeve që vijnë nga forcat politike, aktualisht nga maxhoranca konkrete”, thotë Presidenti.

Ai u shpreh se akuzat e së majtës që kanë shënjestruar Presidentin nuk kanë ndikuar drejtpërdrejt në punën e tij. I pyetur nëse do firmoste dekretet për shkarkimin e Kryerokurorit apo kryetarit të SHISH, me kërkesë të mazhorancës së re të majtë, Nishani shprehet i prerë se nuk të ketë asnjë lloj lëshimi. “Asnjë presion nuk do të gjejë një ambient bashkëpunues tek Presidenti i Republikës”, - nënvizoi kreu i shtetit.

Ai nuk shmangu komentin emocional për largimin e liderit historik nga kreu i PD. “Tërheqja e Berishës është një e drejtë personale. Jam i bindur se kontributet janë të rëndësishme, për të parë se çfarë ka sjellë”, tha Nishani.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)