TIRANE - Marrëdhëniet tradicionale mes Shqipërisë dhe Kinës janë pozitive, por megjithatë duhet të ketë zhvillim të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat. Ka qenë ky përfundimi i përbashkët në takimin e presidentit të republikës Bujar Nishani me delegacionin e Konferencës Konsultative Politike të republikës Popullore të Kinës.

Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria është e interesuar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e më gjerë me Kinën, duke e siguruar zyrtaren e lartë kineze se biznesi kinez do të gjejë në Shqipëri fusha interesante dhe një klimë mikpritëse për të investuar në infrastrukturë, turizëm, energji, etj.

“Nga ana e saj, Zëvendëskryetarja e Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Republikës Popullore të Kinës, zj. Zhang Rongming shprehu bindjen se kjo vizitë do t’i shërbejë jo vetëm nxitjes së dialogut politik, po edhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve me interes të ndërsjellë në të gjitha fushat.”, lexohet në njoftimin zyrtar të Presidencës.

Zonja Rongming nënvizoi se iniciativa dhe mekanizmi i bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ka funksionuar mirë duke kërkuar që në këtë kuadër Shqipëria dhe Kina të rrisin më tej bashkëpunimin e tyre në fushën ekonomike.

Presidenti Nishani vlerësoi angazhimin e Kinës në rajon, gjithashtu edhe çeljen e zyrës diplomatike të Kinës në Kosovë, të cilën e konsideroi si shprehje të interesit dhe vëmendjes së Kinës ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.

(Gre.M/Shqiptarja.com)