Nishani: SHISH e ka informuar
ministrin Tahiri për tritolin

TIRANE- Presidenti Bujar Nishani merr në mbrojtje pa asnjë rezervë kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi. Madje shkon dhe më tej kur deklaron se ai ka pasur komunikim frekuent me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit gjatë gjithë periudhave, duke prezantuar faktin se Visho Ajazi i kishte paraqitur prektikën e këtij komunikimi për tritolin, krimin e aktet terroriste.

Duke folur për ‘Klan’, Nishani u shpreh se në shumicën e aksioneve antiterror dhe antidrogë, rol parësor kanë luajtur strukturat e SHISH të drejtuara nga ana e Visho Ajazit.

“Si kreu i shtetit pas marrjes së informacionit gjatë diskutimeve në Komisionin e Sigurisë se SHISH nuk ka informacion, se nuk ka bashkëpunuar me strukturat e tjera, siç është policia e shtetit në lidhje me çështjen e tritolit, i shqetësuar i kam kërkuar shpjegime dhe informacione drejtorit të SHISH e pas kësaj jam ballafaquar me një praktikë korrekte mjaft frekuente të informacionit të detajuar dhe të adresuar nga ana e drejtorit të SHISH për Ministrinë e Brendshme, për Policinë e Shtetit gjatë gjithë vitit 2013 dhe po ashtu në mënyrë frekuente gjatë gjithë periudhës së 2014, nga janari e në vijimësi.

Unë besoj që mënyra e komunikimit dhe ajo praktikë me të cilën unë u informova e u ballafaqova, tregon për një angazhim serioz, profesional e përkushtues nga SHISH për çështjen e tritolit”, ka qënë deklarata e Nishanit, në lidhje me akuzat për mosdhënie informacioni. Paçka, se ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka deklaruar publikisht në Komisionin Parlamentar të Sigurisë se nuk kishte marrë asnjë informacion nga SHISH për aktet terroriste, duke akuzuar rëndë Visho Ajazin.
 
Akuzat për përgjimet
Kreu i shtetit ka dhënë përgjigje dhe për akuzat e mazhorancës në lidhje me përgjimet e SHISH ndaj policisë, referuar qarkores që u bë publike në media. Nishani thotë se SHISH e ka në detyrimin e tij mbledhjen e informacioneve, ndërkohë shprehet se s’dëshiron të ndërhyjë në detyrimet e Kuvendit. Ai tha se nuk ka përgjim, dhe se nxjerrësi i qarkores përbën një problem të rëndë për SHISH. “S’dua të ndërhyj aspak në çështjet që i takojnë Kuvendit të Shqipërisë, pasi ai më së pari ka rregullore që është ligji i organizimit dhe funksionimit të Kuvendit, ka instrumentat e tij, ka deputetët.

Ka një shqetësim në të vërtetë. Shqetësim përbën pikërisht dalja publike e një dokumentacioni, e një praktike që në kontekstin dhe në përmbajtjen e ligjit për SHISH është pikërisht korrekte. Kam dëgjuar që të përdoret deri në përgjim dhe mesa kam informacion, ka të bëjë me mbledhje informacioni nga ana e strukturave të SHISH, ç’ka është detyrim e objekti kryesor i SHISH për mundësinë e përfshirjes së pjesëtarëve të administratës, policisë apo institucioneve të tjera ligjzbatuese në veprimtari kriminale, që ka qënë një veprimtari e përhershme mbledhje e informacionit”, tha Nishani.

Teksa ka nënvizuar se, “Çështjet e përgjimit dhe teknika e përgjimit është një çështje krejt tjetër, por edhe kjo nuk përjashtohet aspak nga puna e SHISH, por është një praktikë që ashtu siç tek policia e shtetit, në struktura të veçanta kryehet vetëm përmes lejes nga ana e prokurorit të Përgjithshëm. Por shqetësimi që unë përmenda ka të bëjë pikërisht me prezantimin në publik të identitetit të pjesëtarëve të shërbimit inteligjent shqiptar, ç’ka tashmë ka vënë në rrezik serioz këta anëtarë të këtij shërbimi të shtetit, ç’ka krijon shqetësim në punën, në partneritetin e SHISH”.

Duke e marrë në mbrojtje kreun e SHISH Visho Ajazin dhe për akuzën e përgjimit. Njëherësh ai thotë se në informacionin e plotë që ka si kreu i shtetit, SHISH ka patur angazhime e rezultate jashtëzakonisht dhe veçanërisht në luftën ndaj trafikut të drogës. “Në shumicën dërrmuese të aksioneve të suksesshme të policisë së shtetit për të goditur trafikun e drogës, ka kontribut parësor SHISH. Po ashtu angazhimet e tij në luftën kundër terrorrizmit janë mjaft serioze e vazhdojnë të kenë rezultate të rëndësishme.

Pra çështje që lidhen me sigurinë kombëtare të vendit, ku është e lidhur ngushtësisht siguria e çdo familjeje, individi, siguria dhe e ardhmja e sigurtë e çdo fëmije, të familjeve shqiptare, përmes këtij kontributi, përmes kësaj sakrifice të këtyre njerëzve që angazhohen në struktura e punë të tilla të vështira, që  kërkojnë sakrificë dhe sublime herë pas herë, unë besoj që së shumti është e më së pari, meritojnë respekt”, tha Presidenti.

Shkrimi u publikua sot (16.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID, Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID, Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)