Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot një takim me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.
 
Presidenti Nishani e siguroi për mbështetjen e pakursyer të institucioneve shqiptare, për të mundësuar në një kohë sa më të shpejtë anëtarësimin e Kosovës në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare dhe avancimin e agjendës evropiane, krahas vendeve të tjera të rajonit.
 
Presidenti Nishani theksoi rëndësinë që në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive të diskutohet dhe të bëhen hapa konkretë për të ndihmuar në aspektin social, ekonomik, kulturor dhe arsimor shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Medvegjë, Bujanovc dhe Preshevë, duke marrë si shembull praktikat më të mira evropiane në këtë drejtim.
 
Nishani: Kriza në Maqedoni politike, jo etnike
Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për situatën në rajon si dhe pozicionin e Shqipërisë dhe të Kosovës në ndihmë të tejkalimit të krizës politike në Maqedoni.
 
Presidenti Nishani theksoi se, kriza në Maqedoni është një krizë politike dhe jo ndëretnike.
 
Stabiliteti i Maqedonisë, respektimi i marrëveshjes së Ohrit, si dhe  rruga e saj drejt integrimeve euro-atlantike është në interes të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni, por edhe për të gjithë rajonin dhe më gjerë.
 

dy.b/shqiptarja.com