Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani i dërgoi sot një mesazh Atit të Shenjtë, Papa Françeskut në të cilin thuhet:
 
“Shenjtëria Juaj, Kam nderin dhe kënaqësinë e madhe që me rastin e dyvjetorit të misionit Tuaj Papnor në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal t’ju dërgoj urimet më të përzemërta e miqësore për përmbushjen e misionit Tuaj hyjnor.Shqipëria dhe gjithë kombi shqiptar ruajnë ende të freskëta mbresat e vizitës Suaj Papnore në Shqipëri. Të gjithë shqiptarët ndjehen thellësisht të bekuar nga fryma paqtore e hyjnore e mesazheve Tuaja të paqes e bashkëpunimit, si dhe për vlerësimin e lartë që Ju i bëtë bashkëjetesës ndërfetare në vendin tim, duke i dhënë kësaj veçorie shqiptare një dimension botëror.
 
Përfitoj nga rasti që të shpreh mirënjohjen për kontributin e Kishës Katolike në Shqipëri, që krahas veprimtarive të saj shpirtërore, ka dhënë një ndihmesë shumë të vyer edhe për kapërcimin e vështirësive të ndryshme sociale, veçanërisht në arsim, shëndetësi, por edhe për ndihma në raste fatkeqësish dhe situata të jashtëzakonshme, etj.
 
Dëshiroj që edhe njëherë t’Ju ripohoj At i Shenjtë angazhimin tim e të popullit shqiptar në forcimin dhe pasurimin e mëtejshëm të lidhjeve institucionale dhe shpirtërore që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë në përçimin e vlerave të bashkëjetesës ndërfetare dhe në shërbim të paqes në botë.   
 
Së bashku me urimet e mia për shëndet, lumturi e suksese në përmbushje të misionit Tuaj Papnor, ju lutem pranoni, Shenjtëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.”