TIRANË - Presidenti Nishani ka uruar përmes një mesazhi Presidentin e sapo zgjedhur të Ukrainës, Petro Poroshenko. Në mesazhin e tij, Presidenti Nishani shpreh besimin se Poroshenko do të udhëheqë Ukrainën drejt në normalizimin e situatës, dhe në vendosjen e paqes.
 
“Zgjedhja Juaj në postin e lartë të Presidentit të Ukrainës, më jep rastin që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell urimet më të mira për përmbushjen me sukses të kësaj detyre!
 
Dëshiroj, me këtë rast, të shpreh besimin se Ju, si një personalitet me eksperiencë të suksesshme, do ta udhëhiqni Ukrainën në normalizimin e situatës, në vendosjen e paqes dhe demokracisë.
 
Më lejoni, gjithashtu, zoti President, t`ju siguroj se Shqipëria, në linjë me partnerët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, mbështet unitetin, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
 
Me bindjen se gjatë Presidencës Suaj, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Ukrainës do të njohë zhvillime në fusha me interes të ndërsjellë në të mirë të dy popujve tanë, ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”- Është mesazhi i plotë i Presidentit Nishani drejtuar Poroshenkos.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)