TIRANË - Për herë të parë në 23 vite demokraci, institucioni i Presidencës, ka botuar një revistë të veten. Ajo botohet njëherë në 6 muaj. Botimi i parë i përket muajit janar 2013, por duket se ai i muaji gusht në datën 2, ka qenë më i rëndësishëm për institucionin e presidenti, pasi mbushet një vit që Bujar Nishani është zgjedhur si President i Shqipërisë.

Nishani ka bërë një bilanc të punës duke dashur të nënvizoje se puna e tij ndonëse e padukshme ka qenë përtej dekorimeve dhe pritjeve.

“Presidenti, për vet' natyrën e shumanëshme të punës që ka apo detyrave të llojeve nga më të ndryshmet që zbaton, duke qenë larg përditshmërisë së shtetasve dhe projektorëve të mediave, punon në heshtje. Nuk ekziston, mënyrë apo kriter për të matur, volumin e punës së Presidentit. Numri i takimeve, bisedimeve, negocimeve, dekorimeve, pritjeve mbledhjeve, në vetvete, nuk tregon kushedi se çfarë lidhur me volumin real të punës së kryer”, shkruan Nishani.

“Gjatë këtij viti pune, ne, unë, ndihmësat e mi dhe e gjithë administrata e Presidencës, natyrisht nuk u kujdesëm vetëm për festimet e 100 vjetorit dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, dhe as nuk u morëm vetëm me dekorime, pritje dhe vizita. Bëmë edhe shumë punë të tjera. Për mbarëvajtjen e institucioneve, kompaktësimin e tyre, zgjerimin ,dhe përmirësimin e mardhënieve ndërkombëtare dhe plot të tjera”, thotë në editorialin e tij, Presidenti Nishani.

Kur presidenti flet përzgjedhjet e 23 qershorit i quan të rëndësishme por të paparashikueshme. Ndërkohë që nuk flet asnjë fjalë për qeverinë e re dhe marrëdhëniet që do të ketë me mazhorancë PS-LSI, pavarësisht se revista ka dalëe me 2 gusht, më shumë se 1 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve.

“I dyti tepër i rëndësishëm; Zgjedhjet Parlamentare. Njëri ndër dallimet esenciale mes diktaturës dhe demokracisë është se në diktaturë dihet kush do t'i fitojë zgjedhjet ende pa u bërë, ndërsa në demokraci jo. Rezultatin final të zgjedhjeve që sapo bëmë nuk qe në gjendje ta parashikonte askush. Absolutisht asnjë sondazh, asnjë prognozë, asnjë analist, asnjë ekspert. Rezultati final i këtyre zgjedhjeve, surprizoi skajshëm njëlloj të gjithë; palët në garë elektorale, analistet, fituesit, humbësit. Ky fakt i thjeshtë dhe i qartë provon katërcipërisht se gjatë vitit që shkoi Institucionet funksionuan mrekullisht. Shqiptarët j'a arritën t'i kapërcejnë vështirësitë”, shkruan Presidenti Nishani në editorialin e vet për numërin e dytë të revistës.

Në këtë numër të revistës publikohen të gjitha aktivitetet qe presidenti ka zhvilluar gjatë këtij 6 mujori të parë të 2013 dhe takime me personalitete të vendit si dhe ndërkombëtare.

 Revista Presidenca
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)