Nishani viziton arbëreshët: Simbol
i identitetit evropian të shqiptarëve

Nishani viziton arbëreshët: Simbol<br />i identitetit evropian të shqiptarëve
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në ditën e parë të vizitës së tij në Kalabri, vizitoi një sërë vendbanimesh të hershme arbëreshe ku u takua e përcolli mesazhe te të zgjedhurit e institucioneve qendrore e vendore, përfaqësues të institucioneve fetare e shoqërisë civile arbëreshe.

Fillimisht, Presidenti Nishani u ndal në Firmo, një ngulim arbëresh me tradita të hershme e ku, sikurse u shpreh ai, duhet të vijohet me mësimin e shqipes për fëmijët e brezat e rinj. Ndalesa e radhës ishte qendra e Eparkisë në Lungro, ku në një takim të ngrohtë e vëllazëror, Kreu i Shtetit u prit nga Peshkopi Donato Oliverio, si dhe autoritetet qendrore e vendore të Prefekturës së Kozencës.

Kreu i Shtetit nënvizoi pritjen e ngrohtë e vëllazërore që gjeti në Kalabri dhe shprehu mirënjohjen e madhe për trashëgiminë shekullore që arbëreshët kanë ruajtur në shekuj. Presidenti vijoi më tej, duke theksuar që arbëreshët e Italisë janë simbol i identitetit evropian të kombit shqiptar, dhe se shqiptarët kudo ndodhen sot, në Evropë, Amerikë apo Australinë e largët i janë mirënjohës trashëgimisë arbëreshe në shekuj.

“Arbëreshët e Italisë, theksoi Kreu i Shtetit, përmes figurave të shquara si Jeronim De Rada e Zef Serembe, i kanë dhënë Evropës në kohën që jetuan e punuan atë çka janë shqiptarët. Arbëreshët janë dhe do të mbeten urë e fortë e miqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë. Të dëgjosh të flitet shqip sot në Kalabri është si të jesh në Arbërinë e dikurshme”, u shpreh mes të tjerash Nishani.

“Fjalët e arbëreshëve dalin nga zemra e zemra na bashkon”, tha Kreu i Shtetit në fjalët e tij drejtuar përfaqësuesve të klerit gjatë takimit në Lungro. Takimet vijuan në mjediset e Komunës së Lungros të tejmbushur me banorë, të cilët përcollën me duartrokitje e këngë arbëreshe fjalën e Presidentit Bujar Nishani si dhe ceremoninë e dekorimit me Titullin “Mjeshtër i Madh” të këngëtares Anna Stratigò.

Vizita e Kreut të Shtetit vijoi në Frascineto ku këngët e vallet arbëreshe kishin pushtuar rrugët e sheshin e qytezës. Me veshjet shumëngjyrëshe arbëreshe gra, burra e fëmijë këndonin me shpirt e pasion në gjuhën e të parëve të tyre, duke krijuar një atmosferë feste e cila u përcoll edhe në mjediset e teatrit të Frascineto-s ku Presidenti i Republikës shprehu emocionet e tij të thella për mikpritjen, ruajtjen e traditës, gjuhës, kulturës e zakoneve edhe pas më shumë se 5 shekujve larg truallit shqiptar.

Mes duartrokitjeve të shumta Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e institucioneve qendrore e vendore, por edhe të vetë banorëve në ruajtjen e çuarjen përpara të vlerave më të mira të traditave të hershme.

Presidenti i Republikës ndër të tjera falenderoi autoritetet italiane për krijimin e kushteve për integrimin e plotë edhe të brezit të ri të emigrantëve pas viteve ’90-të, të cilët sot kanë një vend të denjë në zhvillimin e prosperitetin e shoqërisë italiane.

“Shqipëria dhe Italia nuk janë vetëm vende fqinje, por dhe dy vende mike të cilat kanë shumë mundësi të vijojnë në rrugën e përbashkët të bashkëpunimit e forcimit të lidhjeve mes tyre”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Gjatë ceremonisë, Kreu i Shtetit duke vlerësuar rolin e drejtuesve fetarë, por edhe të mësuesve e lëvruesve të gjuhës shqipe, vlerësoi me Dekoratën Nënë Tereza (pas vdekjes), poetin, gjuhëtarin dhe priftin e mirënjohur arbëresh Emanuele Giordano, lëvruesin e gazetave e revistave Demetrio Emanuele me Titullin Naim Frashëri si dhe mësuesen Lucia Martino me Titullin Mjeshtër i Madh.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve