Lara Colturi e nisi Botërorin e skive alpine me rezultat të jashtëzakonshëm, duke u renditur e dyta në Solden të Austrisë. Megjithatë në ekipin e saj pati pak zhgënjim, pasi vendi i parë u humb vetëm për 1 të qindtat. Pas garës së fundjavës 19-vjeçarrja rrëfeu historinë e saj për ‘Blue Sport’, duke treguar për zgjedhjen që të stërvitet me një ekip të dedikuar dhe jo me federatën italiane. Më pas skatorja rrëfeu zgjedhjen e saj për të përfaqësuar Shqipërinë. Vend që sipas saj po e mbështet shumë në garat e Kupës së Botës.
“Mbështetja që marr është e jashtëzakonshme”,-tha 19-vjeçarja, e cila nuk i fshehu emocionet për vendin që përfaqëson. “Kam qenë edhe me pushime në Shqipëri dhe jam dashuruar me këtë vend,”- u shpreh Lara Colturi, por ajo që e bën veçanërisht krenare është ndikimi që rezultatet e saj po kanë në rritjen e interesit për skitë në Shqipëri.
“Është njësoj si në rastin e Lucas Braathen dhe Brazilit. Vende që më parë nuk ishin pjesë e hartës së skive, tani po bëhen protagonistë. Më bën jashtëzakonisht krenare fakti që Shqipëria po merr më shumë vëmendje falë meje,”- deklaroi Colturi.
Sipas saj, interesi për këtë sport është rritur ndjeshëm edhe në mesin e shqiptarëve, ndonëse skitë alpine nuk janë pjesë e traditës sportive të vendit.
“Njerëzit i ndjekin garat e skive në televizor, edhe pse ky sport nuk është pjesë e kulturës së tyre. Ata i shohin garat dhe më pas dëshirojnë të vijnë këtu për të bërë ski dhe për të parë borën, të cilën ndoshta nuk e kanë parë kurrë më parë. Është e mrekullueshme të shohësh se si po rritet ky sport,”-përfundoi skiatorja.
19-vjeçarja po e vendos Shqipërinë gjithnjë e më shumë në vëmendjen e skive botërore.




Komente
Komento