Nisi shkolla, urojnë krerët e shtetit e politikës: Një vit i mbarë shkollor për nxënësit, mësuesit dhe prindërit

Nisi shkolla, urojnë krerët e shtetit e politikës: Një vit i mbarë shkollor për nxënësit, mësuesit dhe prindërit

Krerët e shtetit dhe politikës kanë uruar këtë të hënë nisjen e vitit të ri shkollor.

Presidenti i vendit, Bajram Begaj në urimin e tij shkroi se “Një brez që përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë”.

Kryeministri Rama një urim të veçantë ia rezervoi 28 mijë nxënësve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Në urimin e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e edukimit cilësor dhe përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e kushteve në shkolla, duke u fokusuar tek investimet e kryera për të rritur standardet e mësimdhënies.

350 mijë nxënësit, prindërit dhe mësuesit për një vit shkollor të mbarë i uruan edhe Erion Veliaj, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe politikanë të tjerë në mazhorancës apo opozitës. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:42
Spiropali në Qendrën Burimore për Fëmijët me Aftësi ndryshe: T’u japim prioritet! Çdo nxënës të marrë trajtim të barabartë dhe me dinjitet

 

Sot në ditën e parë të shkollës, kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë Elisa Spiropali, ka vizituar Qendrën Burimore për Fëmijët me Aftësi Ndryshe.

Duke iu uruar një sezon të ri të mbarë shkollor, Spiropali tha se “fëmijët me aftësi të veçanta duhet të gëzojnë të gjithë të drejtat për të pasur një arsimim për të qenë të zotët”.

“Të kemi mendjen dhe një sy nga fëmijët me aftësi të veçantë, që kanë nevojë për përkujdesje, sepse gëzojnë të gjithë të drejtat për të pasur një arsimim të plotë. Urimi shton edhe përgjegjësinë tonë si Kuvend i Shqipërisë për të bërë ligje më të mira, më pranë nxënësve që janë ardhmja. Do të bëjmë të mundur që çdo fëmijë të marrë një trajtim të barabartë dhe me dinjitet”, tha kryetarja e Kuvendit.

E pyetur se si ndihet për pozicionin e ri në drejtimin e qarkut të Tiranës, Spiropali tha se përgjegjësia është njësoj, këdo qark të drejtosh.

“Një pyetje që i takon një qendre tjetre, Shqipëria është njësoj kudo, nga Tirana në Tropojë dhe nga Tropoja në Konispol, nuk ka ndonjë ndryshim të madh për ne që merremi me politikë, përveç se shtohet ndonjë përgjegjësi”, u përgjigj Spiropali.

Ora 10:03
'10 bursa studimi për oficerët e rinj të diplomuar' ministri i Mbrojtjes: Forcat e Armatosura sigurojnë edhe mundësi arsimimi

Gjatë vitit 2024 janë caktuar 10 bursa studimi për oficerët e rinj të diplomuar në këmbësori, detari, pilotazh dhe mjekësi.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu thotë se “Forcat e Armatosura jo vetëm që ofrojnë një karrierë të qëndrueshme, por gjithashtu sigurojnë mundësi arsimimi përmes bursave të plota në akademitë ushtarake në disa vende jashtë shtetit.

“Forcat e Armatosura jo vetëm që ofrojnë një karrierë të qëndrueshme, por gjithashtu sigurojnë mundësi arsimimi përmes bursave të plota në akademitë ushtarake në Itali, Greqi, Turqi, Mbretërinë e Bashkuar dhe në akademinë ikonike West Point në SHBA.

Çdo vit, oficerët e rinj të diplomuar në këmbësori, detari, pilotazh dhe mjekësi kthehen për të shërbyer me përkushtim në Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Vetëm gjatë këtij viti janë caktuar 10 bursa studimi në nivele, vende dhe fusha të ndryshme, ndërsa ky është një proces i shtrirë në kohë dhe në të ardhmen ushtarakë të tjerë do të përzgjidhen për të kryer studime më të specializuara për t’i përfaqësuar Forcat e Armatosura në mënyrë sa më dinjitoze dhe profesionale”, shkruan Vengu në Facebook.

Ora 09:21
Sot dita e parë e shkollës, Veliaj letër nxënësve: Rruga drejt përmbushjes kalon nga shkolla; Nuk e kemi ndalur punën gjatë verës për shkolla të standardeve europiane

Në ditën e parë të shkollës, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i është drejtuar me një letër nxënësve duke i uruar një vit më të mbarë shkollor. Ai shkruan se Bashkia nuk e ka ndalur punën lidhur me shkollat e reja të Tiranës që sot janë me standarde europiane.

“Dihet tashmë, teksa ju pushonit nëpër plazhe apo male, ne të Bashkisë nuk e ndalëm punën lidhur me shkollat. E kemi kthyer prej kohësh situatën përmbys, e kemi ndryshuar faqen dhe shkollat e Tiranës sonë, tashmë, janë të standardeve evropiane. Mbi 40 shkolla të reja dhe të rikonskruktuara deri më sot dhe nuk kemi ndalur”, shkruan Veliaj. 

Veliaj shprehet se janë 5 shkolla të reja që presin nxënësit të rikthehen në ambientet e tyre më moderne dhe më bashkëkohore, duke theksuar se janë edhe 37 institucione të tjera arsimore që presin të ndërtohen dhe rikonstruktohen. 

“Këtë vit, jam shumë i lumtur që nxënësit e “Musine Kokalari”-t, “Xhezmi Delli”-t, “Myslym Keta"-s, “Avni Rustemi"-t dhe “Emin Duraku”-t rikthehen në shkollat e tyre më moderne, më bashkëkohore, por, mbi të gjitha, më të sigurta. E do të vijojmë edhe këtë vit dhe në vitet në vijim - janë edhe 37 shkolla të tjera që presin të ndërtohen apo të rikonstruktohen. Sepse puna jonë është të sigurojmë që çdo brez i ri të ketë mundësinë të rritet në një mjedis që i hap dyert e së ardhmes. Dhe, në fund të fundit, punët e mira nuk mbarojnë kurrë”, shkruan kryebashkiaku. 

Letra e plotë

Të dashur nxënës të Tiranës, miqtë e mi të vegjël! 

Gjithnjë jam ndjerë mirë tek e kam shkruar këtë letër. Me afrimin e shtatorit, madje, vit pas viti, mezi e kam pritur. Besoj se këtu ngjajmë; nuk kam dyshim që edhe ju mezi e prisni rihapjen e shkollave. E di mirë, sepse i kam kaluar të gjitha etapat: dikur atë të nxënësit teksa isha njëri prej jush, në fillim ai vogëlushi pak i trembur i klasës së parë që shkon në shkollë përdore me prindin, pastaj ai djali që çdo shtator kalon pragun e shkollës disa centimetra më i gjatë, më i mësuar dhe më i sigurt në vetvete se një shtator më parë. 

Dihet tashmë, teksa ju pushonit nëpër plazhe apo male, ne të Bashkisë nuk e ndalëm punën lidhur me shkollat. E kemi kthyer prej kohësh situatën përmbys, e kemi ndryshuar faqen dhe shkollat e Tiranës sonë, tashmë, janë të standardeve evropiane. 

Mbi 40 shkolla të reja dhe të rikonskruktuara deri më sot dhe nuk kemi ndalur. 

Këtë vit, jam shumë i lumtur që nxënësit e “Musine Kokalari”-t, “Xhezmi Delli”-t, “Myslym Keta"-s, “Avni Rustemi"-t dhe “Emin Duraku”-t rikthehen në shkollat e tyre më moderne, më bashkëkohore, por, mbi të gjitha, më të sigurta. E do të vijojmë edhe këtë vit dhe në vitet në vijim - janë edhe 37 shkolla të tjera që presin të ndërtohen apo të rikonstruktohen. Sepse puna jonë është të sigurojmë që çdo brez i ri të ketë mundësinë të rritet në një mjedis që i hap dyert e së ardhmes. Dhe, në fund të fundit, punët e mira nuk mbarojnë kurrë. 

E ka Sami Frashëri një thënie që është si ylli polar për lundërtarët: “Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër dhe grurë; nëse do të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim dhe kulturë”. Sigurisht, ne na intereson “përgjithmonë”, na intereson të shohim larg dhe, duke parë larg, ju kemi ju në fokus. Ëndrrat nuk janë thjesht dhe vetëm për t’u nanuritur. 

Ëndrrat janë bërë për t’u përmbushur. Veçse rruga drejt përmbushjes kalon, padyshim, nga shkolla. 

I shijofshi frytet e rrugëtimit të dritës që për disa nis e për të tjerë rinis sot! 

Ju priftë e mbara!

Ora 08:48
Viti i ri shkollor, Basha: Programi i Demokratëve Euroatlantikë me drekë të garantuar dhe kurse ndihmon familjet

1721422524_lulzimbasha.JPG

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka uruar nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor. Me anë të një postimi në facebook, ai uron që ky vit të jetë një rrugëtim i sukseshëm.

Basha shprehet se investimi në arsim është jetik për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit dhe për këtë programi i Demokratëve Euroatlantikë synon një reformimi të thellë të shkollave, duke i kthyer në ambjente ku fëmijët kalojnë pjesën më të madhe të ditës. 

Me drekën e garantuar në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe përmes kurseve në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit, gjuhëve të huaja, klasave të artit dhe sportive deri në orën 16:00, sipas Bashës do të krijohen kushtet për një zhvillim të shëndetshëm të brezave të rinj.

'Urime të përzemërta për nxënësit që sot nisin vitin e ri shkollor. Dita juaj e parë e shkollës qoftë fillimi i një rrugëtimi të sukseshëm!

Urime për mësuesit, që me përkushtim dhe dhembshuri, përmbushin misionin fisnik të edukimit të brezave. Urime për prindërit, që përmes punës dhe sakrificave investojnë te arsimimi i fëmijëve për t’u dhënë atyre të ardhmen që meritojnë.

Investimi në arsim është jetik për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit, prandaj me përkushtim ndaj brezave të rinj, të bindur se mësimdhënia dhe të nxënët cilësor është një e drejtë themelore, të vendosur për të ndihmuar familjet shqiptare, programi i Demokratëve Euroatlantikë synon një reformimi të thellë të shkollave, duke i kthyer në ambjente ku fëmijët kalojnë pjesën më të madhe të ditës.

Me drekën e garantuar në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe përmes kurseve në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit, gjuhëve të huaja, klasave të artit dhe sportive deri në orën 16:00, do të krijojmë kushtet për një zhvillim të shëndetshëm të brezave të rinj, duke i dhënë mjetet materiale dhe kulturore për të realizuar potencialin e tyre si qytetarë produktivë e të përkushtuar në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.'- shkruan Basha.

Ora 08:28
28 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës, Rama mesazh urimi: Një vit i mbarë shkollor për nxënësit, mësuesit dhe prindërit

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësuesit në ditën e parë të shkollës.

Rama ka uruar veçanërisht 28 mijë nxënësit që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

“MIRËMËNGJES dhe me urimin për të gjithë nxënësit, veçanërisht për ata që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës, mësuesit e prindërit e Shqipërisë, për një vit të mbarë shkollor, ju uroj një javë të bukur”, shkruan Rama.

 

Ora 08:21
Ministrja uron nxënësit dhe mësuesit: Të vendosur për përmirësimin e standardeve të mësimdhënies, suksese në këtë rrugëtim të bukur

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Në mesazhin e saj, Ministrja theksoi rëndësinë e edukimit cilësor dhe përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e kushteve në shkolla, duke u fokusuar tek investimet e kryera për të rritur standardet e mësimdhënies.

"350 mijë nxënës ulen sot në bankat e shkollave, ndërsa 28 mijë prej tyre e kalojnë për herë të parë pragun e shkollës," tha Ministrja.

Ministrja vuri në dukje se janë bërë investime të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, duke përfshirë ndërtimin dhe rikonstruktimin e 100 shkollave dhe objekteve të tjera arsimore gjatë vitit 2024.

“25 shkolla të reja kanë hapur dyert e tyre sot, duke mirëpritur rreth 10 mijë nxënës dhe mësues.”

Një tjetër fokus i rëndësishëm është përfshirja e teknologjisë dhe inovacionit në arsim.

“Kemi investuar në 200 shkollave me 216 laboratorë SMART, ku rreth 35 mijë nxënës do të përfitojnë nga programet e reja të TIK dhe programimit.”

Ministrja vuri theksin te rritja e pagave për mbi 30 mijë mësues dhe përpjekjet për zhvillimin e tyre profesional përmes trajnimeve falas, me synim për të përfshirë 16 mijë mësues në Programin Kombëtar të Zhvillimit Profesional.

Manastirliu gjithashtu përmendi zgjerimin e mbështetjes për nxënësit me aftësi të veçanta, duke rritur numrin e mësuesve ndihmës në 2100, si dhe investimet në terrene sportive dhe palestra, për të promovuar një stil jetese të shëndetshëm për të gjithë nxënësit.

Në përfundim, Ministrja Manastirliu uroi suksese për të gjithë nxënësit dhe mësuesit në këtë rrugëtim të ri arsimor, duke shprehur mbështetjen e plotë të qeverisë për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës.

 

Ora 07:55
Nisja e vitit të ri shkollor, Begaj uron: Një brez që sot përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë!

Nxënës të klasës së parë nisin sot shkollën

Nisja e vitit të ri shkollor për sezonin 2024-2025 është shoqëruar jo vetëm me hare gëzimi të nxënësve që u ulën për herë të parë në bankat e shkollës, por edhe me reagimet e para sapo ra edhe zilja e shkollës.

Presidenti i vendit, Bajram Begaj postoi në rrjetin social Facebook urimin e tij për “mësuesit dhe nxënësit dhe në veçanti ata që nisin maratonën e gjatë, nxënësit e klasave të para”.

“Një brez që përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë”, shkruan ndër të tjera krue i shtetit.

Postimi i Begajt:

“Urimet më të mira dhe suksese të gjithë nxënësve e mësuesve që nisin sot vitin e ri shkollor!

Në veçanti, urime nxënësve të klasave të para që fillojnë maratonën e gjatë, sfiduese, por edhe shpërblyese të dijes.

Një brez që sot përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë”.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër