Policia e Shtetit ka nisur kontrollet për parandalimin e kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Në sajë të kontrolleve të kryera në ambiente të mbyllura, sera, magazina etj, nuk është konstatuar asnjë rast i kultivimit të bimëve narkotike.
Policia thotë se "kontrollet do vijojnë në mënyrë periodike në bashkëpunim edhe me aktorë dhe agjenci të tjera përgjegjëse, të përfshira në Planin Kombëtar të Veprimit për parandalimin e kultivimit të kanabisit".
Policia thotë se në aksion u angazhuan 289 grupe kontrolli nga Drejtoritë Vendore të Policisë dhe Drejtoritë Vendore të Kufirit e Migracionit. Në operacion morën pjesë 1.110 punonjës policie me 203 automjete policie dhe 2 mjete lundruese.
Janë kryer gjithsej 4.922 kontrolle/rikontrolle, në:
- 1795 sera/minisera
- 1036 magazina/objekte
- 883 ish objekte ushtarake
- 509 shtëpi të braktisura
- 299 stane/stalla
- 407 ambiente të hapura
- 43 parcela të kultivuara në vitet 2016-2017.