Nisin procedurat për ngritjen e KLP dhe KLGJ, i hapet rruga ngritjes së SPAK dhe zgjedhjes së kryeprokurorit të ri

Nisin procedurat për ngritjen e KLP dhe KLGJ, i hapet rruga ngritjes së SPAK dhe zgjedhjes së kryeprokurorit të ri

Foto ilustruese

Në Shqipëri shumë shpejt pritet të nisin procedurat për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) pasi procesi i rivlerësimit të kandidatëve për anëtarë në këto dy institucione është përmbyllur.

Sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin për prokurorin Besnik Cani, i fundit në listën e atyre që kishin kandiduar për në KLP. Ndërsa një ditë më parë, me rrëzimin e gjyqtarit të Apelit Shkodër, Luan Dervishi, u mbyll lista e kandidatëve për në KLGJ.

Sipas ligjit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të duhet që brenda tre ditësh t’i përcjellë listat respektive Prokurorit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Ndërsa këta të fundit, brenda një afati tjetër 3 ditor duhet të thërrasin njëri Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve dhe tjetri Mbledhjen e Gjyqtarëve, për të zgjedhur anëtarët që do të përfaqësohen në dy institucionet e reja, të cilave Reforma në Drejtësi, u njeh një rol kyç.

Nga ana e saj Prokuroria e Përgjithshme njoftoi në mbrëmje se kishte marrë njoftimin nga KPK dhe po brenda ditës së sotme, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka thirrur Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve, më datë 11 dhjetor.

Të dy Këshillat, përbëhen nga 11 anëtarë, nga të cilët 5 vijnë nga jashtë sistemit, ndërsa 6 anëtarët e tjetër përzgjidhen sipas ndarjes në shkallë të gjykatave dhe prokurorive: 3 nga ato të Shkallës së Parë, 2 nga Apeli, ku të paktën njëri duhet të jetë nga organet që veprojnë në rrethe, dhe 1 nga Prokuroria e Përgjithshme në rastin e KLP-ës dhe 1 nga Gjykata e Lartë në rastin e KLGJ-ës.

Kanditatët për në KLP , për 3 vendet nga prokuroritë e Shkallës së Parë janë 5: Dritan Prençi – Prokuroria Kukës; Vat Staka -Prokuroria Shkodër; Antoneta Sevdari – Prokuroria Tiranë; Gentian Osmani – Prokurori e Krimeve të Rënda dhe Besnik Muci– Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nga këta Dritan Prenci, është i vetmi nga jashtë Tiranës e pritet të kalojë automatikisht. Të tjerët do t’i nënshtrohen votimit për dy poste.

Për dy vende nga Prokuroritë e Apelit janë vetëm dy kandidatë, Arben Dollapaj nga Apeli i Shkodrës e dhe Bujar Sheshi, nga Apeli i Krimeve të Rënda. Dy kandidaturat e tjera, Besa Nikëhasani nga Apeli i Shkodrës dhe Luan Kaloci nga Apeli i Tiranës, u rrëzuan.

Ndërsa për një vend nga Prokuroria e Përgjithshme janë kualifikuar dy prokurorë që kanë kaluar testin: Anila Leka dhe Kostaq Beluri.

Për në Këshillin e Lartë Gjyqësor, në përfundim të procesit të rivlerësimit, janë 6 gjykatës së shkallës së parë që janë konfirmuar. Nga këta Marçela Shehu, nga gjykata e Kurbinit bën që të plotësohet kriteri për një anëtar nga Gjykatat e rretheve, dhe ajo automatikisht siguron vend në KLGJ-ën e ardhshme, ndërsa 5 të tjerët (Manjola Xhaxho – Gjykata e Tiranës; Alma Brati – Gjykata e Tiranës; Astrit Faqolli – Gjykata e Tiranës; Dritan Hallunaj – Gjykata për Krimet e Rënda; Brunilda Kadi – Gjykata e Tiranës) do t’i nënshtrohen votimit për dy vendet e tjera.

Sa i përket dy vendeve me gjyqtarë të Apelit, janë konfirmuar tre kandidatë, Ilir Toska – Gjykata Apelit Tiranë), Nertina Kosova (Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda) dhe Brikena Ukperaj, nga Apeli i Vlorës. Kjo e fundit kalon automatikisht, duke qenë se plotëson kriterin për të qenë nga Gjykata jashtë Tiranës.

Për vendin e përfaqësuesit nga Gjykata e Lartë, i vetmi i rikonfirmuar në detyrë, pas procesit të rivlerësimit, është anëtari i saj Medi Bici. Kandidati tjetër, për në KLGJ, Artan Zeneli u rrëzua.

Funksionimi i këtyre dy institucioneve, vë në lëvizje mekanizmat për organet e tjera të parashikuara nga Reforma në Drejtësi. Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë i hap rrugë zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm, si dhe ngritjes së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) nga e cila do të varet më pas dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, dy organet që pritet të shënojnë një kthesë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor do të zëvendësojë rolin që ka luajtur deri më tani Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke rikthyer normalitetin në funksionimin e gjyqësorit. Marrë nga VOA.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja