Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla i është bashkuar ditës kombëtare të pemëve duke mbjellë së bashku me nxënësit e disa shkollave në qarkun e Beratit dhjetëra fidanë të rinj. Ministrja e Arsimit pak kohë më parë ka lançuar projektin e saj, kurorat e gjelbra të shkollave, ku çdo shkollë apo institucion arsimor në mënyrë vullnetare, të kontribuojë për të gjelbëruar oborret e shkollave dhe kultivuar tek të rinjtë shqiptarë dashurinë për natyrën dhe kujdesin e shtuar për mjedisin që i rrethon.
/Shqiptarja.com
Nikolla ka marrë pjesë në mbjelljen e mbi 20 pemëve në shkollën 9 vjeçare “Zoi Vangjeli” në Velabisht së bashku me nxënësit e kësaj shkolle dhe mësuesit. Edhe pse ditë pushimi, ata ju bashkuan në këtë aksion kombëtar.
Më pas me mësuesit e shkollës 9 vjeçare të Poshnjes, ministrja dha kontributin e saj për kurorën e gjelbër edhe të kësaj shkolle e cila mbjelljen e pemëve e ka kthyer në një traditë të përvitshme. Nikolla vizitoi edhe disa shkolla të tjera të këtij qarku ku u njoh me ecurinë e nismave të ministrisë së Arsimit si 3 lëndë në 6 orë, apo shkollat qendra komunitare.
s.k/Shqiptarja.com










