Një dokumentar mbi jetën
e skenaristes Angjelina Xhara

Një dokumentar mbi jetën<br />e skenaristes Angjelina Xhara
TIRANË - Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ja kushton muajin nëntor skenaristëve të filmit dokumentar, duke kujtuar cdo të mërkurë emrat që edhe pse pas kamerave kanë lënë gjurmë në kinematografikë shqiptare.

Dita e sotme iu kushtua skenaristes, Angjelina Xhara Papalilo, ku për të kujtuar krijimtarinë e saj u shfaq në kinemanë e AQSHF-së materiali filmik ilustrues për punën e autores në vite. Xhara e filloi karrierën e saj fare e vogël, kur drejtonte emisionet e fëmijëvë në televizion, për t’u bërë më pas një nga spikeret e para të lajmeve në RTSH. Pas studimeve për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës ajo filloi punë në Kinostudio. “Gjithë jetës i jam përkushtuar bërjes së filmave”, tha Xhara.

Sot, ajo kujton se në Kinostudio kanë qenë të kushtëzuar në tematika. “Sigurisht që nuk kam qenë e lirë, por as sot nuk e ndiej veten e lirë”, shprehet Angjelina Xhara. Skenaristja kishte zgjedhur që në atë kohë të realizonte tematika kulturore, filmin historik dhe atë shkencor. “Filmin shkencor e kam trajtuar me shumë pasion dhe dashuri sepse duke qenë e kufizuar në gjëra të tjera, këtu gjeja liri më të madhe”, tha Xhara.

Realizimi i saj i parë artistik ishte “Dy endjet”, një bashkëpunim me Adriana Elinin për të cilën Xhara shprehet se ka qenë ajo që i ka mësuar realizimin e filmit. Për Angjelinën shprehjet për lavdërimin e partisë ishin pashaportë për atë kohë, por sipas saj, në kinostudio kishte një lloj demokracie në përzgjedhjen e tematikave që krijuesit i zgjidhnin vetë. “Pavarësisht kësaj, ne ishim krejtësisht të kontraktuar sepse do ta bënim filmin në bazë të disa rregullave që diheshin”, tha Xhara.

Në aktivitetin kushtuar krijimtarisë së Xharës u prezantua dhe libri i saj botuar së fundi “Margarita e artë”, kushtuar Artistes së Popullit, Margarita Xhepa, një përmbledhje kujtimesh të rrëfyera nga vetë aktorja. “Kam lexuar shpirtin e saj dhe ai libër është shpirti i saj. E kam parë Margaritën si e shikojnë të huajt atë dhe kam zbuluar gjithë jetën e saj”, tha Xhara. Skenaristja shtoi gjithashtu se filmi i saj i rradhës është pikërisht dokumentari kushtuar Margarita Xhepës.

Kjo e fundit, duke e cilësuar Angjelinën një zonjë të ëmbël që e do dhe punon për artin, di ta hedhë atë dhe në letër u shpreh se, ajo diti t’i zbërthejë me mënçuri kujtimet e saj dhe të realizoj një libër. “Unë flisja për kujtimet e mia dhe ajo me mençuri fillontë të më pyeste, por unë nuk e dija që ajo shkonte në shtëpi dhe i hidhte në letër. Një ditë mori guximin dhe më tha, unë pranova me kënaqësi”, tha Margarita Xhepa.

Skenarët e Angjelina Xharës për filmat “Piktura mesjetare shqiptare” dhe “Profesor doktor Aleksandër Xhuvani” kanë marrë çmime në festivale të filmit, ndërkohë që filma të tjerë si “Onufri”, “Piktori Buza”, “Veshjet popullore”, “Fëmijët tanë një këngë e bukur”, janë shfaqur me shumë sukses në aktivitete filmike jashtë atdheut. “Jeta bëhet e lumtur kur i përkushtohesh shpirtërisht diçkaje. Unë i jam përkushtuar gjithmonë filmit dhe librit”, tha Xhara.

Vitet e fundit, Angjelina Xhara është marrë me letërsi duke botuar romanin e saj të parë “Enigma” me temë nga emigracioni dhe ka gati për botim librin “Personalitete femërore shqiptare në kinematografi”.

Angjelina Xhara Papalilo lindi në Tiranë në vitin 1949. Nga viti 1969 deri në vitin 1977 ka qenë një nga spikeret e para të lajmeve në Televizionin Shqiptar përkrah Kiço Fotiadhit. Në vitet e demokracisë emigroi në Greqi ku u aktivizua në faqet e shtypit shqiptar atje, por edhe si spikere në edicionet e lajmeve në gjuhën shqipe në Radion greke të Bashkisë së Athinës “9.84”, duke punuar për shtatë vjet radhazi.

Angjelina Xhara është vlerësuar me Medaljen “Naim Frashëri” dhe është zgjedhur Ambasadore e Paqes nga Organizata Ndërkombëtare e Paqes.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë