Një ecje symbyllas pesëvjeçare nëpër botë

Një ecje symbyllas pesëvjeçare nëpër botë
Politika e jashtme e Kosovës sot e ka humbur kuptimin elementar të fjalës. Nuk është politikë, nuk është e jashtme dhe nuk është e Kosovës.
T’ia fillojmë prej së parës.
Politika e jashtme e Kosovës nuk është politikë, sepse i mungon një platformë strategjike bazike së bashku me një program operacional për zbatimin e kësaj platforme. Që të dyja do të duhej të kishin kaluar nëpër Kuvendin e Kosovës, qoftë në formën e vet plenare, qoftë në Komisionin për Politikë të Jashtme, por deri tani kjo gjë nuk është bërë. Ç’është e vërteta, këtë e ka kuptuar edhe Ministria e Jashtme në mandatin e dytë qeverisës, dhe është duke bërë konsultime me konsulentë ndërkombëtarë, disa prej të cilëve janë të dijshëm për Kosovën dhe sfidat e veta ndërkombëtare. Në vitin e pestë të pavarësisë, vendi ndoshta do të ketë gjasa ta ketë politikën e vet të hartuar të jashtme, me çka automatikisht nënkuptohet se për pesë vjet ka ecur symbyllazi.

Në këtë ecje symbyllazi, qenë të përfshirë Presidentja, zëvendëskryeministri për njohje, zëvendëskryeministrja për dialog teknik, ministri i Jashtëm, ministrja për Integrime Europiane, së bashku me shefin e tyre të përbashkët, Kryeministrin dhe nivelin e tij të dijes – që të gjithë aktorë të asaj që në emër duhej të ishte politika e jashtme e Kosovës.

2.
Qoftë si pasojë, qoftë si shkak, politika e Kosovës me botën nuk mund të quhet e jashtme. Ajo në mënyrë dramatike është reduktuar brenda kufijve territorialë të Kosovës, sipas projeksionit të Serbisë. Nga ana e këtij vendi, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka ekzistuar një përpjekje e orkestruar që i tërë kompleksi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës të kalojë nëpër dyert e marrëdhënieve me Serbinë. Fitorja e parë e Serbisë qe shënuar që nga muaji i parë i pavarësisë së Kosovës, me djegien e pikave kufitare të Veri të vendit, pasuar nga plani gjashtëpikësh i Ban Ki Munit. Që nga atëherë u shënua depërtimi i Serbisë që të shndërrohet në palë, e cila duhet të pyetet për jetën e brendshme në Kosovë.
Ky depërtim fitoi hov me ofensivën serbe pas shpalljes së mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe Rezolutës së mëpastajme të Asamblesë së Përgjithshme për Kosovën për “dialogun” mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kulmi u mbërri me “dialogun”, një proces negociator në të cilin Kosova pranoi, me dorë të veten, parimin e bashkëqeverisjes mes Kosovës dhe Serbisë (legjitimitetin e dokumenteve kadastrale dhe të regjistrit civil në të dyja kryeqytetet, për shembull), madje edhe pajtimin me Serbinë se statusi i vendit nuk ka përfunduar me shpalljen e pavarësisë (fusnota, me të cilën pranohet administrimi i Kosovës brenda Rezolutës 1244).
Në javët e kaluara, para dhe pas zgjedhjeve serbe, dhe në javët që vijnë, është në rritje kërkesa e zërave me ndikim në Europë që Kosova dhe Serbia të ulen për një proces negociator rreth pjesës veriore të vendit.
Kështu mbyllet qarku i një politike të supozuar të jashtme: ajo duhet të merret me çështje të brendshme, madje edhe me çështje territoriale të brendshme.
Efekti i mungesës së politikës së jashtme, natyrisht, nuk mbetet vetëm këtu. Çështja e njohjeve të pavarësisë së vendit tashmë është e lidhur ngushtë me procesin e negociatave me Serbinë (meqë Kosova ka pranuar me fusnotë se çështja e statusit është ende e diskutueshme). Çështja e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare (prej çështjeve me pak relevancë si pjesëmarrja në “Eurovizion” e deri te ato me rëndësi funksionale si anëtarësimi në OKB) është çështje gjithashtu e vënë nën kontekstin e negociatave Kosovë – Serbi.
Kapakun simbolik politik këtij procesi ia dha zgjedhja e ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, për kryetar të radhës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me mandat njëvjeçar. I zgjedhur me shumicës votash në votim të fshehtë, ai fitoi një shpërblim jo vetëm personal, por edhe një përkrahje ndërkombëtare për një politikë të suksesshme të bllokimit të Kosovës.

3.
Dhe ky aktivitet, që nuk mund të quhet as politikë e as politikë e jashtme, nuk mund të quhet për shkak se i përket përmbushjes së interesave të Kosovës.
Nga aspekti pozitiv, politikën e jashtme të Kosovës e kanë zbatuar vendet e fuqishme perëndimore që sponsorizuan pavarësinë e vendit. Kabllot nga Uashingtoni që instruktonin ambasadat e tyre për angazhim të diplomatëve të vet për njohjen e pavarësisë së vendit, instruksionet nga Londra, Parisi dhe Berlini i diplomatëve të vet që të sigurojnë hapësirë përfaqësimi për Kosovën dhe të dërguarit kosovarë, samitet e frankofonisë, veprimi diskret i British Council dhe kërkesat paradërguar nga Angela Merkel që në këtë apo atë vend të botës së tretë, ku pesha ekonomike gjermane ka forcë të veçantë, të jepet sinjali për njohjen e Kosovës – përfaqësimi i vendit nga ekspertë eminentë britanikë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës – kjo ishte politika e jashtme e Kosovës.
Ishte edhe aspekti tjetër ndërkombëtar që pretendonte se mbronte interesat e Kosovës, e ky ishte insistimi që me çdo kusht Kosova të kyçej në dialogun “teknik” me Serbinë. Treguesi më i mirë i qëndrimeve të kësaj pjese të bashkësisë ndërkombëtare u pa me rastin e zgjedhjeve të kaluara parlamentare në Kosovë. Ndonëse vjedhja e votës, e evidencuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë, qe e përmasave serioze (një veprim i organizuar dhe i gjerë kriminal), Bashkimi Europian i kushtoi fare pak vëmendje procesit zgjedhor, duke u përqendruar në kërkesën imediate për inicimin e dialogut Prishtinë – Beograd me lehtësimin e BE-së.
Urgjenca për inicimin e dialogut qe pjesë e një konstatimi brenda Bashkimit Europian (gjegjësisht krahut të vet të porsaformuar diplomatik) se duhej bërë çmos që Serbia të ingranohet në procesin integrues europian me statusin e kandidatit, dhe duke e bërë këtë, të fitohet një lloj kthese për paqe në Ballkanin Perëndimor, pas bombardimit të Serbisë më 1999-n. Shikuar kështu, dialogu u shërbente dy interesave: një, interesit të Shërbimit për veprim të jashtëm (pararendësit imagjinar të një ministrie të jashtme të BE-së) dhe së dyti interesit të Serbisë.
Kosova ka mundur ta identifikonte interesin e vet në këtë dialog, qoftë duke bërë depërtime strategjike në marrëdhëniet e veta karshi Serbisë, qoftë në marrëdhëniet e veta me BE-në. Këtë ka mundur ta bënte duke insistuar në një kornizë negociatore që do të kishte brenda këto dy depërtime strategjike, por pala kosovare u kënaq me pjesëmarrje krejtësisht të papërgatitur në “dialogun teknik”. Vendimin për një pjesëmarrje të këtillë nuk e bëri Kuvendi i Kosovës, por Kryeministri i vendit krye më vete. Këtë e bëri në kushte kur kundër tij ishte ngritur një akuzë e rëndë nga senatori zviceran Dick Marty, për krime gjatë luftës dhe pasluftës, dhe kur partia të cilën e kryeson u zu në shumë vendbanime të Kosovës duke zhvilluar “vjedhje industriale” të votës.
Meqë procesi që çoi te mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, vetë mendimi dhe Rezoluta e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së rreth “dialogut” u shndërruan në kutin matës të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, pra pikë orientuese për politikën e jashtme, vendimi i Kosovës për të marrë pjesë në këtë proces negociator ka qenë përcaktuesi themelor i politikës së vet të jashtme, madje për disa vjet me radhë. Dhe, meqë, siç thamë, për këtë vendim thelbësor të politikës së jashtme nuk kishte përkrahje paraprake të Kuvendit të Kosovës (ajo erdhi pasi filluan negociatat), vendimi i Kryeministrit të Kosovës për të hyrë në këtë proces negociator i dha vulën përfundimtare personalizimit të asaj që do të duhej të ishte politikë e jashtme.
“Dialogu teknik”, si kuti përcaktues i politikës së jashtme, tregoi se nuk ishte në interes të Kosovës, por të Serbisë (për status kandidati), BE-së (për të dëshmuar efikasitetin e vet dhe ingranuar Serbinë) dhe të Kryeministrit (emri i të cilit filloi të lakohej si i një faktori kooperativ, me gjithë akuzat për krime serioze dhe një procesi zgjedhor të vjedhur). Në këtë përshkrim nuk figuron interesi i Kosovës, me të drejtë, sepse nuk ishte i përfaqësuar si i tillë.
Kështu, ajo që supozohej të ishte politikë e jashtme e Kosovës nuk u bë politikë, nuk u bë e jashtme dhe nuk u bë e Kosovës.
Marre nga Panorama, 26 qershor 2012
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Avokatja e të dyshuarit për planifikim të sulmit në Vjenë tenton të ulë seriozitetin e rastit

Avokatja e të dyshuarit për planifikim të sulmit në Vjenë tenton të ulë seriozitetin e rastit