Nisa të mendoja në vitin 1989...
Xhengo, ndihet krenar për punën që ka bërë, sidomos për faktin që ka fotografi nga çdo moment i ndryshimeve politike në vend. Në profilin e fotografit të heshtur, por prezent ka edhe ai gjykimin e vet për kohën para viteve ’90. “Puna më jepte mundësinë të isha pjesë në të gjitha eventet e rëndësishme të politikës shqiptare. Ajo që kuptova shpejt ishte që kishte shumë hipokrizi në ato takime, por diçka po ndryshonte. Në’89-n e ndjeva për herë të parë këtë gjë”, -rrëfen ai. Pikërisht në këtë kohë filloi të analizonte mundësinë për të fotografuar të gjitha ndryshimet me apo pa urdhër nga ATSH. “Ndjeva një lloj dëshire, por edhe detyrimi profesional për këtë, edhe si fotograf, edhe si qytetar”,-nënvizon ai.
4 shkrepjet e fundit me bustin e Enverit
“Lëvizja shumë dhe fotografoja pa pushim. Fotot dhe reportazhet botoheshin në ATSH, ndaj shpërndaheshin më pas në të gjitha gazetat, kështu që isha gjithandej, doja s’doja”,-thotë Xhengo. Pjesa më e rëndësishme e arkivës së tij janë fotot e shkrepura kur filluan ngjarjet e mëdha të korrikut të viteve ’90. Ka rendur ditë-natë me aparat në dorë, megjithëse drejtori i ATSH-së e kishte urdhëruar që të mos fotografonte asgjë, në të kundërt do pushohej nga puna. “Vendosa të mos i bindem atij urdhri. Përdora aparatin personal, por edhe atë të punës me thënë të drejtën. Fotografitë e para janë bërë në Qytetin Studenti”,- shprehet ai. Megjithëse nuk u botuan në ATSH, këto fotografi e gjetën vetë rrugën e publikimit. “Interesi ishte i madh atë kohë dhe shumë nga këto foto janë publikuar në media brenda dhe jashtë kufijve”, - tregon Xhengo. Kujton një episod nga dita kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës. “Kisha gjithë ditën që lëvizja dhe fotografoja çdo gjë ngado nëpër Tiranë. Në fund kur të gjithë vajtën te sheshi kisha vetëm 3-4 shkrepje në aparat. Mbaroi filmi. Megjithatë pikat kyçe i kam fotografuar. Më ka ngelur vetëm momenti kur turma shpërndahet”, -thotë ai.
Historia e fotos “Drejt Perëndimit”, Benettoni e bëri simbol pa cituar autorin
Një nga fotot e Xhengos ka një histori vërtet mbresëlënëse. Kjo foto njihet në gjithë botën me titullin “Drejt Perëndimit” dhe është bërë e famshme jo vetëm nga botimi në shumë media në kohën e emigracionit masiv shqiptar drejt Italisë, por edhe për shkak të një fushate të Benetton. Është e lehtë ta provosh që është e Xhengos. Ai ka filmin origjinal, ka edhe foto të tjera të të njëjtit moment. “Ka qenë 7 gusht data, dëgjova që po iknin njerëzit me anije nga Durrësi. Mbërrita në port rreth orës 13.00 në drekë. E gjitha kalata e portit ishte e mbushur me njerëz. Të gjithë i kishin sytë te ajo anije. Anija ishte e tejmbushur dhe njerëzit ishin vendosur si zogj në të gjithë cepat e saj. Në breg kishte mijëra të tjerë që tentonin të arrinin anijen, me not ose vareshin në një litar të shtrirë nga anija në breg. Kishte nga ata që nuk dinin not dhe që rrezikonin jetën... gjithçka e pasqyron kjo foto. Nuk e dija që këtë foto e kishte marrë Benettoni, e kam marrë vesh tani. Fillimisht e kishte parë një shok i djalit tim që e dinte që ajo ishte fotoja ime dhe i tregoi djalit për këtë. Më pas ne shfletuam faqet në internet bashkë me tim bir dhe e pamë foton. Ishte në faqen zyrtare të Benetton në Flickr si fotografia më e mirë në rreth 30 foto të reklamës së po kësaj kompanie për një periudhë kohore 20 vjeçare. Kishte një kontradiktë aty. Në fakt thuhej që fotoja ishte pa autor, por thuhej edhe që të drejtën e kësaj fotoje e ka vetëm Benetton”,-tregon Xhengo dhe shton: “Autori jam unë. Një punonjës i ambasadës mori kontakt dhe u tregoi që autori i saj jam unë dhe i sugjeroi Benettonit që fotografinë ta ruajnë, por të citohet autori. Nuk kam marrë asnjë përgjigje. Kam kontaktuar me disa studio avokatësh në Itali, por akoma asnjëra nuk ka marrë përsipër këtë çështje. E kanë marrë fillimisht, por më pas janë tërhequr dhe nuk e di përse. Që të hapësh një gjyq kushton shumë dhe nuk kam fuqi financiare prandaj edhe kjo çështje ka ngelur kështu. Megjithatë unë do vazhdoj ta kërkoj këtë të drejtë. Kërkoj vetëm që të vendoset emri i autorit në fotografi”.
*Marrë nga shekulli.com.al
(xhk/Shqiptarja.com)