Koncesioni u krye në marrëveshje me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë dhe me aprovimin e Këshillit të Ministrave. Marrëveshja ka ardhur pas një viti pune nga kompania në projektim të pozicionimit të hidrocentraleve në Shqipëri.
Vlera e tregut e koncesionit është 20 milion dollarë dhe projekti vlerësohet të kushtojë rreth 180 milion dollarë. Projekti vlerësohet të përfundojë në vitin 2015.
Ky është një rast i përsëritur i nënkontraktimit nga koncensionarët e lejuar nga qeveria shqiptare për të shfrytëzuar burimet ujore për energji elektrike. Marrëveshja e parë është nënshkruar në kohën kur ministër ishte Genc Ruli, më 2009 dhe garën e ka fituar një grup, i përbërë nga kompani sllovene e biznesmeni kosovar Ekrem Lluka. Ideja është shfrytëzimi i ujrave të lumit të Shalës nëpërmjet një kaskade me 6 HEC-e vendorë. Që atëhere, nuk është mësuar më tej për punime konkrete, deri në mbërritjen e një drejtuesi i kompanisë Rudana në Tiranë. Në prill të vitit të kaluar u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi midis Rudana Group dhe ish-ministrit Dritan Prifti, me premtimin për investime në masën 4 miliardë dollarë në Shqipëri.
Rudana është aksioneri më i madh i kompanisë 3Power Energy Group Inc.
Po cila ështe kjo kompani?
3Power Energy Group Inc. , po të lexojmë të dhënat nga Reuters, është një kompani në fazë zhvillimi. Kompania fokusohet në dhënien e shërbimeve mbi energjitë e rinovueshme. Kompania e regjistruar si Prime Sun Power Inc. ndryshoi në 3Power në vitin 2002. Kompania nuk ka kryer asnjë operacion dhe nuk ka regjistruar asnjë të ardhur dhe asnjë klient gjatë viteve 2009 dhe 2010.
Sipas Yahoo Finance, gjatë vitit 2010 kompania pësoi një humbje neto prej 799.758 dollarë, ndërkohë që gjatë vitit 2009 humbja neto ka qenë 1.992.470 dollarë. Humbjet neto të kompanisë që prej krijimit deri në 31 dhjetor 2010 kanë qenë 3.640.661 dollarë. Balanca e arkës në 31 dhjetor 2010 ishte 142 dollarë.
Në 10 mars të vitit 2011 kompania arriti një marrëveshje me institutin financiar italian SR&P Holding S.p.a për një hua prej 50 milion dollarë. Motivi i borxhit ishte për investime në fushën e hidroenergjisë në Shqipëri, Itali, Francë, Turqi dhe Kili. Borxhi do garantohet nga asetet e projekteve të marra në koncesion nga kompania.
Ecuria e kompanisë 3Power Energy Group Inc duket nga projeksioni i vlerave historike të volumit të aksioneve të shitura, të marra nga Yahoo Finance, që është gjithmonë pothuajse zero (përvec disa përjashtimeve; në kohën e blerjeve të dy kompanive të tjera dhe marrjes së borxhit nga instituti i kredisë italiane, që i rritën vlerën në bursë kompanisë, rritje kjo që nuk zgjati shumë). Por mund edhe të shohim ecurinë e keqe edhe në historikun e vlerës së aksioneve, e cila nuk e kalon gjysmën e dollarit për aksion.
(ah/shqiptarja.com)