​Belgjika ka nisur sot ditën e parë të zizë kombëtare në nder të 31 viktimave nga sulmet terroriste të një dite më parë në aeroportin Zaventem dhe metronë e Maelbeek në Bruksel.

Vendin e terrorit dhe masakrës, sot e kanë zënë lulet dhe qirinjtë.

Një gjest i veçantë solidarizimi është edhe ai i disa personave të cilët kanë shkruar mesazhe paqeje dhe shprese në asfaltin e Brukselit, pranë vendit ku ndodhen dy shpërthimet tronditëse.

Në mesditë, pranë selisë së BE-së, u mbajt një minutë heshtje nga qindra qytetarë që ishin mbledhur në shesh dhe padyshim edhe nga krerët e lartë të Bashkimit Europian.

Heshtje e cila u shoqërua me duartrokitje në respekt të viktimave të pafajshme që humbën jetën tragjikisht mëngjesin e së martës.