Shqipëria - vend i sigurtë
Johannën, ndryshe të quajtur Flutura, e kam njohur qysh para disa vitesh. Kisha dëgjuar shumë për të. Familja e saj, e përbërë prej tre vetash, ishte larguar përgjithnjë nga vendlindja në Hamburg, Gjermani, fill pas Kristallnachtit, me 10 nëntor 1938. I jati arrin të marrë një vizë transit në Konsullatën shqiptare në Berlin prej Thoma Luarasit, ndihmës Ministër. Ata mandej kalojnë në Itali dhe, në pritje të vizës amerikane në Konsullatën e Napolit, vendosën të kalojnë disa kohë në Shqipëri.
Për hebrenjtë e Evropës në atë kohë Shqipëria e Mbretit Zog ishte vend i sigurtë, ndofta i vetmi ku ata mund t'i shpëtonin terrorit dhe furisë së nazistëve e të bashkëpunëtorëve të tyre.
Familja Gerechter mbërriti në Shqipëri rreth marsit 1939 dhe u vendos në Durrës. Pa dashur, atje ata u bënë dëshmitarë të pushtimit fashist të vendit me 7 prill 1939. Vetëm dy ditë më parë, me 5 prill 1939, shpresat e tyre ishin shumëfishuar si pasojë e fjalës së përhapur se Mbreti Zog, nga gëzimi i lindjes së djalit, Princit Leka I, do t'u jepte të gjithë emigrantëve apo vizitorëve të huaj shtetësinë shqiptare.
Saga e familjes Gerechter pas pushtimit italian dhe, më pas, atij gjerman të Shqipërisë, është e pafund. Nga viti 1939 e deri në vitin 1945 ata ndërruan disa qytete dhe dhjetra vendbanime për t'i shpëtuar rrezikut të identifikimit, përndjekjes e asgjësimit. Gjatë kësaj periudhe prindërit Gerechter u detyruan të bëjnë punë nga më të ndryshmet. I jati, Siegbert, kishte talent të veçantë pikturën dhe e nxirrte bukën e gojës duke ndihmuar tregtarë të ndryshëm tek dyqanet e tyre. Edhe e ëma, Alice, bënte gjithfarë punësh. Johanna, nga ana e saj, shkoi në shkollë katolike fillimisht në Durrës, dhe mandej, nëpër qytete të ndryshme ku u lidh në miqësi me moshatarët e saj. Njëra prej tyre ishte Erika Përmeti Toptani. Meqë emri shkurt në gjermanisht ishte Jutta, vërsnikët vendas parapëlqyen ta thërrasin Flutura.
Ambasadore vullnetmirë për shqiptarët
Vetëm pasi u largua nga Shqipëria në vitin 1945 familja Gerechter mësoi gjëmën që kishin pësuar bashkëkombasit e tyre hebrenj në mbarë Evropën, dhe njëkohësisht, vlerësuan fatin që i kish prurë midis shqiptarëve. Qysh nga ai çast, ata morën përsipër vullnetarisht misionin për t'i treguar botës mbarë guximin dhe sakrificën e shqiptarëve për të shpëtuar të gjithë hebrenjtë.
E kisha hasur Johannën edhe në vitin 1999, gjatë viteve të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Ndërkohë që opinion publik amerikan ishte i painformuar dhe deri diku pavendosur për të mbështetur bombardimet, Johanna Neumann doli publikisht në mbështetje të popullit të Kosovës.
Pas shumë bisedash telefonike e takova Johannën për herë të parë në selinë e OKB-së në Nju Jork në vitin 2006 kur u hap ekspozita fotografike BESA, e amerikanit Norman Gershman, ku paraqiteshin foto-portrete të shqiptarëve që kishin shpëtuar hebrenj.
Natyrisht që miqësia u thellua, dhe më pas u takuam sërish dhe shumë shpesh bisedonim në telefon. Në vjeshtën e vitit 2007 Johanna u ftua në Shqipëri nga zv. Ministrja Edith Harxhi, ku iu dha çmimi "Qytetare nderi e Durrësit". Ajo atje vizitoi edhe Vlorën, dhe pikërisht vendin ku kanë zbarkuar hebrenjtë sefardikë në vitin 1492, çast që u fiksua në celuloid nga Desdemona Stefa. Kurse në prill 2011 organizuam bashkë një panel me ligjërata në Universitetin Millersville, të Pensilvanisë, ku mori pjesë edhe studiuesja nga Shqipëria Blerina Sadiku, që paraqiti librin e saj për çështjen çame. Ligjërata e Johanës, si përherë, ishte një paraqitje e rrallë dhe dëshmi e drejtpërdrejtë e periudhës së zezë të Holokaustit dhe fisnikërisë, guximit dhe vetmohimit të shqiptarëve. Vlerësim të veçantë ajo i kushtoi familjes së Njazi Pilkut, inxhinierit të talentuar, martuar me një gjermane, Lizalotte Boetge, dhe fëmijëve, Edip dhe Luan.
Rreth shkurtit të këtij viti Johanna u ftua për të dhënë disa ligjërata në Gjermani. Ndër ftuesit e saj ishte edhe një shoqatë e miqësisë shqiptaro-gjermane.
Bedriu - një shok i paharruar
Pikërisht në momentin kur avioni i saj po zbriste në Frankfurt, në kutinë e postës time elektronike më vjen një mesazh nga miku i përbashkët, Petrit Zorba, kryetar i shoqatës miqësisë Shqipëri-Izrael. Mesazhi mban daten 30 janar 2012 dhe ka këtë përmbajtje:
"Dikush para ca muajsh, një burrë i vjetër, dëshironte t'i dërgonte një mesazh zonjës Johanna. Ai na solli edhe një foto me një nënshkrim nga mbrapa, të cilën e skanova dhe po ju a dërgoj. Nëse e takon mund t'ia japësh. I bën shumë të fala. Me respekt, Petrit ZORBA".
E shkarkova menjëherë foton dhe ç'të shikoj. Një vashë e njomë, rreth të pesëmbëdhjetave, e hijshme, me flokët me fjongo dhe me dy gërsheta varur supeve, veshur me një fustan ngjyrë të çelët me rryp të zi. Anash një shënim:
"A Bedrí in ricordo dei bei mesi trascorsi, Jutta Gerechter".
Nuk prisja që Johanna ta kontrollonte postën elektronike gjatë qëndrimit në Gjermani. Dhe ashtu ndodhi. Dhjetë ditë më pas, kur kthehet në Washington më telefonon plot mirënjohje dhe habi. "Sa pak dihet për Shqipërinë dhe rolin e shqiptarëve gjatë Holokaustit", më tha ajo.
Pyetja që prisja erdhi: "Po si e gjete këtë foto"? Dhe e qeshura e saj nuk pushonte. Natyrisht, fotoja e ndihmoi të freskonte kujtesën. Si kishin rrjedhur ngjarjet?
Sipas saj, aty nga fundi i vitit 1943, kur vendi ishte nën pushtimin gjerman, familja Gerechter u zhvendos nga Durrësi për në Tiranë dhe zuri me qera një banesë, pranë një bordelloje, diku në një rrugë paralele me bulevardin që atëhere quhej Rruga Regina Elena. Ata kishin një dhomë dhe e ëma e Johannës gatuante për të zotët e shtëpisë. Nipi i të zotit të shtëpisë ishte një djalosh i ri, inteligjent dhe shumë i pashëm. Ai quhej Bedri dhe u miqësua shumë me Johannën, ose me Fluturën, siç e quanin atë në Shqipëri. Dy të rinjtë rrinin shpesh së bashku dhe bisedonin në italisht për tema nga më të ndryshmet. Mirëpo jeta, që dukej sikur kishte bashkuar në atë moment një djalë shqiptar me një vajzë me prejardhje gjermano-hebraike, mori papritmas një kthesë krejt të papritur, me rrjedhime të paparashikuara - dhe të pakthyeshme - për të dy personazhet.
Një ditë i jati i Johannës mësoi arësyet se pse Bedriu zhdukej për net të tëra nga shtëpia. Ai ishte i lidhur me lëvizjen nacional-çlirimtare…
Kjo gjë e tronditi pa masë familjen Gerechter. Ç'do të ndodhte nëse Bedriu do të arrestohej? Po sikur gjermanët të kontrollin shtëpinë e tij? Ishte e qartë se qëndrimi i mëtejshëm në atë shtëpi mund të ngjallte dyshime për vetë bujtësit hebrenj. Prandaj, zoti Gerechter merr vendimin për t'u larguar menjëherë nga banesa e xhaxhait të Bedriut.
Pa dyshim e tronditur nga ky largim i papritur, Johanna vendos t'i lërë kujtim shokut të saj foton bashkëngjitur.
Sot ende nuk e dimë se cili është Bedriu, zotërues i kësaj fotoje historike. Dimë vetëm që ai, para disa muajsh, ka shkuar në zyrat e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael dhe ka dorëzuar një kopje të saj. Ai sot është pa dyshim i moshuar, me familje, djem, vajza, nipa e mbesa. Mundet vetëm të parafytyrojmë përkushtimin shumëvjeçar të tij në ruajtjen e kësaj foto për vite me rradhë si ndër sendet më të vyera e të çmuara të jetës së tij.
Ngjallja e një miqësie
Mirëpo historia nuk mbaron këtu. Disa javë më pas, një ditë më merr në telefon Johanna dhe më fton në zyrën e saj në Muzeumin Përkujtimor të Holokaustit në Washington. Pasi shkëmbejmë përshëndetjet e rastit, hap një dosje që kishte marrë me vete dhe më tregon një foto që ajo sapo e kishte gjetur në arkivën e saj private.
Ishte një foto e Bedriut tonë ende të panjohur. Ai ia kishte dhënë foton Fluturës, ose Johanna-s si kujtim para ndarjes. Aty na shfaqet një i ri shqiptar, tejet i pashëm, i qeshur, i veshur mirë e me shije, që del nga një shkurre e dendur duke mbajtur një armë në dorë. Nuk dihet se pse personazhi ynë ende i panjohur vendosi, në ato vite të vështira të luftës, të dalë në foto duke mbajtur një armë në dorë, qoftë çifte. Ndofta edhe kjo foto, krejt e pafajshme, mund t'i ketë shtuar arësyet e familjes Gerechter për të prerë lidhjet me familjen tiranase ku ata, si bujtës, kishin gjetur strehim dhe mbrojtje.
Johanna sot nuk e kujton mbiemrin e Bedriut. Me lejen e saj, të dyja fotot po i botojmë sot për herë të parë. Me besimin se ky shkrim do të lexohet nga ai vetë, ose anëtarë të familjes së Bedriut, dhe me shpresën se kjo miqësi e rrallë shqiptaro-hebraike do të rigjallërohet, po përcjellim adresën e postës elektronike se ku ai ose ata mund të më kontaktojnë nëse duan të lidhen me Johannën sot dhe 68 vjet më pas.
(ab/im/shqiptarja.com