Berisha mund ta ketë merak një referendum për të fshirë kujtimin e referendumit të humbur thellë prej tij në vitin 1994. Por nuk është ky për imunitetin rasti dhe ai e di mirë këtë. Ideja e referendumit për heqjen e imunitetit, kur në fushë nuk ka forca serioze që janë kundër dhe kur data e refendumit eventual nuk mund të jetë më e afërt se një datë e caktuar nga Kuvendi në sesionin e ri, tregon qartë se Berisha dhe shumica e tij kanë një hall tjetër më të madh se heqja e imunitetit. Atyre u duhet patjetër një justifikim demagogjiko-populist për refuzimin eventual për të tretin vit radhazi nga Europa të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Jo se i ha meraku që jemi sërish në bisht të Europës- po ta kishin këtë merak do të qeverisnin ndryshe- por u duhet për propaganda, meqenese po futemi edhe në një vit elektoral. E kuptojnë sa e rëndë është në vështrimin e popullit proeuroian shqiptar të ngelësh tre herë radhazi në provimet e Bruskelit; e kuptojnë se një qeveri që ka xhiruar në vend katër vjet radhazi në lidhje me aspiratën numër një të popullit të vet nuk ka më asnjë arsye të rikonfirmohet në qeverisje. Vetëm nëse populli nga proeuroopian është kthyer në antieuropian, gjë që nuk ka ndodhur e s’ka për të ndodhur. Pra u duhet të kapen diku, u duhet t’ja faturojnë opozitës dështimin eventual me stausin. E dinë se është marrëzi, po kush ta hajë, ta hajë.
Një qeveri serioze, edhe kur sheh se po dështon në një synim të saj- dështimet nuk janë domosdoshmërisht faje dhe mjaft qeveri në Europë përballen demokratikisht me dështimet duke ndryshuar kurs apo liruar vendin- pra një qeveri serioze nuk e çon nepër mend të genjejë vetem e mandej edhe publikun duke shpikur detyra shtëpie që nuk na i ka vënë Europa. Ne mund t’i dyfishojmë reformat për veten tonë, por nuk kemi pse t’i atribuojmë Europës detyra shtesë në emër të cicmiceve dhe lojërave tona të brëndshme politike. Aq me shumë kur nuk kemi realizuar akoma detyrat që na janë venë. Janë dymbëdhjetë detyra apo dymbëdhjetë kritere, të njohura tashmë si parja e kuqe nga gjithë shqiptarët. Heqja e imunitetit nuk përfshihet tesktualisht. Mund të konsiderohet si pikë rrjedhëse e një paketë shumë të gjerë, që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, por nuk e gjejmë as në dokumentin bazë, as në anekse. Me fjalë të tjera, mund ta heqim imunitetin dhe nuk e marrim statusin pa realizuar detyrat standarte dhe e kundërta, mund të mos e heqim imunitetin dhe ta marrim statusin nëse realizojmë detyrat standarte.
Në dinamikën e komunikimeve të Europës për Shqipërinë ka patur dy- tre theksime të tjera që derivojnë nga kriteret bazë dhe kanë padyshim një peshë specifike në vendimin që do të marrë Komisioni Europian për të na dhënë ose jo statusin e vendit kandidat. Një ndër to është apeli për zbardhjen e 21 janarit dhe dënimin sipas ligjit të ayre që urdhëruan dhe realizuan vrasjen në bulevard të katër qytetarëve të pafajshëm që po protestonin paqësisht kundër qeverisë së tyre. Deri më sot hetimet dhe ekpertiza e specializuar e FBI-së ka treguar se të vetmit institucione të përfshira në fshehjen, zhdukjen dhe manipulimin e provave që do të ndihmonin në zbardhjen e krimit janë kryeministria në serverin e së cilës janë fshirë e zhdukur me qëllim filmimet e ngjarjes, si dhe garda e republikës ku janë manipuluar armët deri në ndryshimin e tytës së armës vrastare. Të provuara shkëncërisht në laboratorët e FBI-së, këto dy shembuj kanë ekspozuar botërisht një sjellje prej bande dhe jo prej institucioni të atyre që përdorën armët e gardës dhe vranë me to opozitarë të paarmatosur me 21 janar. Ka ndodhur e ndodh edhe në Europë e SHBA që policia apo organet e tjera të forcës të krijojnë viktima në rrethana të caktuara. Por ata përballen me ligjin si institucione, askujt nuk i shkon mendja të ndryshojë tytat, të dëmtojë gjilpërat apo të futet natën vjedhurazi në dhomën e serverit për të kopjuar e fshirë filmimet. Ky është krimi i dyfishtë i fshehjes së krimit. Prononcimet e pardjeshme të Berishës për 21 janarin janë në kontrast të plotë me faktet e pakundershtueshme të hetuara nga FBI-ja. Këto deklarata shkojnë plotësisht në drejtimin e kundërt me atë që ka kërkuar e kërkon Bruskeli për 21 janarin. Nëse Brukseli i ka mbajtur shënim- dhe kam frikë se ka gjithnjë edhe më muajin e pushimeve nëpunës që mbajnë shënim deklaratat e lidërve politikë të Shqipërisë- Berisha është investuar fuqishëm pardje për të marrë sërish një “jo” nga Bruskeli, edhe sikur ta mbushë vjeshtën me referendume.
Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)
