Një vit pa rezultat, Kuvendi ringre
hetimin e 'Tatimeve' e 'administratës'

Një vit pa rezultat, Kuvendi ringre<br />hetimin e 'Tatimeve' e 'administratës'
TIRANE- Parlamenti vendosi t’i japë një tjetër mundësi “hetimeve” të opozitës për “Serverin e Tatimeve” dhe Emërimet në Administratën Shtetërore”. Me 110 vota pro dhe me votën kundër të deputetit Tom Doshi Kuvendi miratoi kërkesën e Partisë Demokratike, duke ringritur komisionin hetimor “Për verifikimin e bllokimit të sistemeve elektronike tatimore” dhe atë për “Për emërimet në administratën publike”.

Ndonëse dy komisionet e kërkuara nga opozita janë miratuar më shumë se një vit më parë, ato nuk kanë funksionuar, duke i djegur dhe afatet kohore të punës së tyre.

Vendimi i Kuvendit i hap rrugën rinisjes së veprimtarisë hetimore, e ndërprerë në muajt e parë të këtij viti. Komisioni “Për kontrollin e zbatimit të legjislacionit për administrimin e bazës së të dhënave shtetërore tatimore”, kryesohet nga deputeti i PD-së, Arben Ristani, ndërsa komisioni “Për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore”, drejtohet nga deputeti demokrat, Genc Pollo.

Për hetimin e lëvizjeve në administratë nga qeveria, opozita ka insistuar për zgjerim të kohës në të cilën do të bëhen të gjitha verifikimet e punësimeve në administratë që prej shtatorit të 2013-ës, duke ngritur dyshime se është rekrutuar kontingjent kriminal. Deputeti i PD, Genc Pollo ka akuzuar qeverinë se ka bërë shkarkime të padrejta nga funksionet shtetërore, duke larguar profesionistët dhe zëvendësuar ata me militantë partiakë dhe më keq akoma, me persona me precedent penalë.

Nga ana tjetër, mazhoranca insiston që në hetimet e kërkuara nga pakica parlamentare të përfshihen edhe punësimet në bashkitë e drejtuara nga e djathta, pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Socialistët akuzojnë demokratët se elementët e paarsimuar që u larguan nga administrata shtetërore, “strehohen” në bashkitë e djathta. Ndërkaq, Komisioni hetimor për zbardhjen mbi ndërhyrjet në serverat e tatimeve, në dhjetor të vitit 2013, nuk mblidhet prej 6 muajsh.

Në ato pak mbledhje të zhvilluara që prej ngritjes së tij në 24 tetor të një viti më parë, palët nuk kanë arritur asnjë kompromis për orientimin e hetimeve të komisionit, në një kohë kur një gjë të tillë po e bënte edhe organi i Prokurorisë, e cila e mbylli dosjen pak dosjen më parë, duke mos gjetur elementë që përbëjnë vepër penale. Opozita akuzon deputetin e LSI, Spartak Braho se ka marrë të dhënat konfidenciale rreth bizneseve në vend.  

E megjithë lumin e akuzave që demokratët kanë hedhur ndaj qeverisë këto dy komisione nuk kanë dhënë deri tani asnjë rezultat. Të vetmit që kanë dalë me raport në fund të punës së tyre ka qenë komisioni hetimor emërimet në Policinë e Shtetit dhe ai për përfshirjen e strukturave të Forcave të Armatosura dhe Ushtrisë në trafikun e drogës.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Antikorrupsioni/ Gjykata Kushtetuese refuzon Komisionin ‘Xhafaj’, kryetarja Zaçaj: S'mund të marrim pjesë në aktivitete ligjbërjeje!

Antikorrupsioni/ Gjykata Kushtetuese refuzon Komisionin ‘Xhafaj’, kryetarja Zaçaj: S'mund të marrim pjesë në aktivitete ligjbërjeje!